Vendosni fjalën kyçe....

Ish-e dashura e Jeffrey Epstein dënohet me 20 vjet burg për trafikim seksual


Dënohet me 20 vjet burg në SHBA Ghislaine Maxwell, e cila akuzohet se ka ndihmuar ish-financierin Jeffrey Epstein të abuzonte me vajzat e reja.

60 vjeçarja u dënua në dhjetor për rekrutim dhe trafikim të katër vajzave adoleshente për abuzim seksual nga Epstein, i cili ka qenë i dashuri i saj.

Një nga akuzuesit tha jashtë gjykatës në Nju Jork se Maxwell duhet të qëndrojë në burg për pjesën tjetër të jetës së saj.

Kujtojmë se Epstein u gjet i vetëvarur në një qeli burgu në Manhattan në vitin 2019. Ai kishte qenë në pritje të gjyqit të tij për trafikim seksual.

Krimet e Ghislaine Maxwell besohet se ndodhën gjatë një dekade, midis 1994 dhe 2004.

Ndërsa jepte dënimin, gjykatësja Alison J Nathan tha se sjellja e Maxwell kishte qenë “e urryer dhe grabitqare”.

“Zonja Maxwell punoi me Epsteinin për të përzgjedhur viktimat e reja që ishin të cenueshme dhe luajtën një rol kyç në lehtësimin e abuzimit seksual.”– shtoi ajo, sipas BBC.

Nathan tha se rasti kërkonte një “dënim shumë domethënës” dhe se donte të dërgonte një “mesazh të pagabueshëm” se krime të tilla do të ndëshkoheshin. Përveç kohës në burg, gjykatësja vendosi një gjobë prej 750,000 dollarësh.