Ndahet nga jeta në moshën 69-vjeçare njëra nga balerinat e para shqiptare të Baletit të Kosovës, Esma Mulla.
Lajmi i hidhur është bërë i ditur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë e cila thotë se populli shqiptar ka humbur një artiste të madhe.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin se u nda nga jeta Esma Mulla, njëra prej balerinave të gjeneratës së parë të Kosovës.
Mulla ka qenë pjesë e Baletit në Kosovë qysh prej themelimit ndërsa me performancat e saj, ka shënuar kthesë jetike jo vetëm për baletin por për vrullin teatror dhe rritjen e vlerave kulturore në Kosovë. Ka qenë e njohur për një mori rolesh dhe shfaqjesh si ‘Legjenda mbi ngadhënjimin’, ’Vallja pranverore’, ‘Bolero dhe Shtrausiana’.
Sot humbëm një person me vlera të çmuara që kontribuoi pareshtur për artin e vallëzimit dhe teatrit në veçanti, por edhe për kulturën e vendit tonë në përgjithësi.
Ngushëllime familjes së Esma Mullës, miqve dhe komunitetit artistik!”-thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës së Kosovës.