Vendosni fjalën kyçe....

Rama merr pjesë në Samitin e NATO-s në Madrid, pritja nga Mbreti Felipe VI i Spanjës dhe Mbretëresha Letizia


Kryeministri Edi Rama ndodhet në Spanjë për një vizitë zyrtare, ku pritet të marrë pjesë në punimet e Samitit të NATO-s që do të zhvillohet dy ditë rresht në Madrid: Të mërkurën dhe të enjten.

Një ditë më parë, Rama së bashku me bashkëshorten e tij zonjën Linda ishin të ftuar në darkën mbretërore gala organizuar nga Madhëria e Tij, Mbreti Felipe VI i Spanjës dhe Mbretëresha Letizia në Pallatin Mbretëror të Madridit.

Në këtë mbrëmje morën pjesë kryetarët e qeverive dhe të shteteve anëtare të NATO-s.

Sot Rama ka shpërndarë edhe një video në “Facebook” nga pritja që iu bë atij dhe bashkëshortes së tij.

Sot Rama së bashku me pjesëmarrësit e tjerë në Samit do të mirëpriten nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s  Jens Stoltenberg dhe Presidenti i qeverisë së Mbretërisë së Spanjës Pedro Sanchez.

Në vijim, do të ndjekë seancën plenare të Samitit, ku të pranishëm do të jenë edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka dhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi.

Fjala e hapjes së Samitit do të mbahet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, ndërsa Presidenti i qeverisë së Mbretërisë së Spanjës Pedro Sanchez, do të mbajë një fjalë përshëndetëse.

Samitit do t’i adresohet online edhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky.