Vendosni fjalën kyçe....

Vuçiç: Nuk ka dialog me Kosovën


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, aktualisht, nuk ka.

Ai i bëri komentet pas takimit në Beograd me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Vuçiç tha se ka rënë dakord me të që mediave t’u drejtohet vetëm ai.

“Unë e informova [Lajçakun] se për çfarë dua të flas dhe se dua të tregoj të vërtetën për gjithçka që po ndodh… dhe se cilat janë qëllimet e fuqive perëndimore. Fjala e tij është e rëndësishme dhe nuk dua ta vë në një situatë të pakëndshme”, tha Vuçiç.

“Kemi një ndryshim të plotë të situatës në Ballkanin Perëndimor dhe në Serbi, e veçanërisht në Kosovë”, tha Vuçiç, duke reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për mundësitë e ri-regjistrimit të veturave me targat e lëshuara nga autoritetet e Serbisë me targa RKS (Republika e Kosovës).

Ai tha se Kosova dhe Perëndimi “duan t’i bindin serbët që të regjistrohen me targat RKS”.

“Nëse nuk i bindin, atëherë do t’ua marrin veturat”, tha Vuçiç.

Të mërkurën, Qeveria e Kosovës miratoi edhe udhëzimin për kalimin e pikave kufitare me dokumente personale, të lëshuara nga autoritetet serbe.

Sipas udhëzimit, të gjithë personat që kanë dokumente personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës, do të marrin një certifikatë që i zëvendëson ato dokumente.

Përndryshe, të gjithë qytetarët e Kosovës që hyjnë në territorin e Serbisë, marrin një certifikatë që i zëvendëson dokumentet e tyre personale.

Vuçiç tha se përgjigjja e Serbisë ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës do të jetë e matur.

“Ne nuk do të ndërmarrim veprime ushtarake, por kërkojmë që të mos ua marrin pronat njerëzve dhe të mos i dëbojnë”, tha ai.

Vuçiç, po ashtu, tha se Serbia është e gatshme për dialog, por, sipas tij, pala kosovare nuk është.

“Pala tjetër nuk dëshiron zgjidhje kompromisi, por vetëm do që ne të pajtohemi me atë që ajo vendos”, tha Vuçiç, duke shtuar se Kosova e ka mbështetjen e Perëndimit për veprimet e saj.

Para vizitës në Beograd, Lajçak ka qëndruar në Kosovë nga data 27 qershor, ku ka thënë se është duke punuar në përgatitjen e një takimi midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.