Vendosni fjalën kyçe....

“Gjest i vullnetit të mirë” apo “humbje”? Dy versionet për largimin e trupave ruse nga “Ishulli i gjarpërinjve”



Në ishullin e gjarpërinjve nuk ka më ushtarë rusë. Siç ndodh zakonisht, Rusia ka nxjerrë një version të ngjarjeve që është jashtëzakonisht i ndryshëm nga ai i paraqitur nga Ukraina ose nga qeveritë perëndimore.

Siç shkruan BBC, Moska dëshiron që ne të besojmë se nuk ka pasur tërheqje ruse nga ishulli i gjarpërinjve. Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se trupat ruse atje thjesht kishin përfunduar “detyrat e caktuara” dhe u larguan.

Dhe po ashtu Rusia e quan largimin “një gjest vullneti të mirë“, për të treguar nuk po pengonte eksportet e ushqimit nga Ukraina.

Mirëpo Ukraina dhe shtetet perëndimore nuk i qëndrojnë këtij versioni, duke marrë parasysh rëndësinë strategjike të ishullit të gjarpërinjve, për të cilin është luftuar prej muajsh. Sipas Ukrainës, trupat ruse janë sprapsur me forcë.

Kremlini dëshiron që publiku rus të besojë dy gjëra – se në këtë konflikt rusët janë djemtë e mirë dhe se i ashtuquajturi “Operacioni Special Ushtarak” i Kremlinit në Ukrainë po shkon sipas planit.

Ndërkohë gjenerali Valerii Zaluzhnyi, komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës, ka falënderuar “të gjithë ata që po ndihmojnë për të mbrojtur tokën ukrainase” pas lajmeve se Rusia është tërhequr nga ishulli i gjarpërinjve.

Ai thotë se forcat ruse nuk ishin në gjendje të përballonin artilerinë, raketat dhe sulmet ajrore ukrainase në ishull.

“Faleminderit mbrojtësve të Odesës, të cilët morën masat maksimale për të çliruar një pjesë të rëndësishme strategjike të territorit tonë.”- thotë ai sipas BBC-së.

Ai falënderon gjithashtu partnerët e huaj të Ukrainës për “sigurimin e mjeteve të humbjes”.