Vendosni fjalën kyçe....

Shkolla Doktorale në Universitetin Mesdhetar, 29 studentët e parë nisin studimet


Të 29 studentët e parë që do të ndjekin ciklin e tretë të studimeve në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, nënshkruan sot kontratat pas përzgjedhjes si fitues nga një komision i posaçëm që shqyrtoi dosjet e tyre.

Në një takim ku morën pjesë drejtuesit e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, pedagogët që do të jenë udhëheqës për këta studentë, ata u njohën me rregulloren e këtyre studimeve.

Rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, pasi ju uroi mirëseardhjen studentëve të rinj të doktoraturës theksoi rëndësinë e këtyre studimeve për pregatitjen e ekspertëve të nivelit të lartë në fushën e kërkimit shkencor.

“Ky cikël studimesh ka rëndësi të veçantë jo vetëm për të qenë thjesht një doktoraturë si vazhdimësi e studimeve në ciklin e tretë por për të qenë një ekspert i nivelit të lartë në fushën e kërkimit dhe ato respektive.”- u shpreh rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Adrian Civici.

Zv. Rektorja e këtij Universiteti, Prof. Asoc. Dr  Greta Angjeli, nënvizoi se hapja e shkollës doktorale në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë është e një rëndësie të veçantë në Universitetin Mesdhetar, ashtu sikurse përzgjedhja e studentëve të rinj që mbajnë pozicione të rëndësishme në administratën publike apo institucione të tjera private.

Kreu i Shkollës Doktorale në UMSH, Paskal Milo, ju uroi suksese studentëve duke theksuar rëndësinë e kësaj shkolle në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, i cili ka gjithë kapacitetet dhe potencialin për zhvillimin e kërkimit shkencor me standarde të larta.

Themeluesi i UMSH-së, Akademik, Prof. Dr. Anastas Angjeli theksoi se Universiteti Mesdhetar në këtë cikël studimesh do të jetë derë e hapur, kundrejt një seleksionimi transparent për të gjithë ata kandidatë të cilët kërkimin shkencor duan ta përdorin si fuqi lëvizëse për të mirën e vendit. 

Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë hapi këtë vit për herë të parë ciklin e tretë të studimeve “Doktoraturë”, në “Shkencat Ekonomike”.  Me këtë cikël studimesh Universiteti Mesdhetar plotëson gamën e plotë, duke kaluar në një etapë të re.