Vendosni fjalën kyçe....

Berisha për projektligjin për legalizimin e kanabisit: Rama po zbaton doktrinën shkatërrimtare të Sorosit


Në konferencën e sotme për mediet, kryetari i PD-së Sali Berisha komentoi edhe projektligjin për legalizimin e kanabisit.

Duke biseduar me gazetarët, Berisha u shpreh se kjo nismë është në zbatim të doktrinës së George Sorosit. Sipas tij, kjo është një damkë e madhe që i bëhet vendit dhe një mbështetje e fuqishme për krimin.

“Kategorikisht kundër. Për PD-në, legalizimi i kanabisit është krim dhe vetëm krim.

Kjo do të thotë të shpallësh veten Eskobar i Europës. Edi Rama e bën këtë në zbatim të doktrinës së George Soros.

Soros është miliarderi që i ka kërkuar OKB-së, së bashku me një president të Amerikës Latine, që të ndërpritet çdo lloj lufte kundër drogave, paçka se në SHBA vdesin çdo ditë 273 persona nga droga.

Edi Rama tani, në zbatim të kësaj praktike, deklaron se po legalizon kanabisin. Kjo është një damkë e madhe që i bëhet vendit. Kjo është një mbështetje e fuqishme për krimin dhe pas kësaj ai ka deklaruar se do pyesë PS-në nëse do lejojë haptas përdorimin e saj.

Anketa është gjithmonë e PS-së. Rama po bën gjithçka që të shkatërrojë qenien dhe identitetin e shqiptarëve dhe ky është një motiv i madh për protestat.”- tha Berisha.