Vendosni fjalën kyçe....

Debatet për Xhaçkën, Bardhi: Ministrja gënjeu, nuk besoj që do vendosë shezlongë dhe do i japë falas


Deputeti i PD-së Gazmend Bardhi ka debatuar me kreun e grupit parlamentar të PS-së Taulant Ballën. Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Mandateve, ku po diskutohet për mandatin e ministres së Jashtme Olta Xhaçka, Bardhi akuzoi ministren se ka gënjyer lidhur me përfitimet e saj dhe të bashkëshortit nga shpallja si “investitor strategjik”.

Por Balla tha se ministrja nuk ka marrë asnjë qindarkë nga paratë e shtetit dhe i kërkoi deputetit demokrat që të kundërtën ta provojë me fakte.

Bardhu nga ana tjetër e ka konsideruar pyetjen e kolegut pa sens, duke thënë se “zakonisht fitimet nuk janë në monedhë” pasi ministrja ka përfituar një pronë shtetërore.

PJESË NGA DEBATI:

Balla: Në eksperiencën 30 vjeçare janë referuar prova elementë. A ka fituar zonja Olta Xhaçka 1 qindrakë dhe në ç’rrugë e ka marrë? Ma provoni me fakte që ta ketë marrë një qindarkë.

Bardhi: Pyetje shumë pa sens. Fitimet nuk janë gjithmonë në Valutë. Zonja ka përfituar pasuri të shtetit. Me vendime të eprorit të saj Edi Rama. Çfarë i ka dhënë? I ka dhënë përdorimin e zonës së plazhit për një periudhë 30-vjeçare. Nuk besoj që Olta Xhaçka do vendosë shezlongë dhe do i japë falas. Xhaçka gënjeu.

Olta Xhaçka shkon ndërton hotel me 5 yje dhe paguan 5 përqind TVSH nga 20 përqind.

Subjekti ka lidhur kontratë me brend ndërkombëtar. Ja pse gënjeu Olta Xhaçka. Në këtë zonë do të ndërtohen disa stacione plazhi. Sipas VKM-së, subjekti është i lidhur me një kompani SPV, për të përfituar ulje të TVSH-së.

Balla: Sa fitime? Fitime thotë Kushtetuta.

Bardhi: Unë nuk jam zyrë kontabël as i Olta Xhaçkës dhe burrit të saj. Kur ta dorëzojë bilancin në shtet atëherë shko merri atje deklarimet.

Balla: Përgjigja është e qartë. Nuk kemi të bëjmë me shkelje të nenit 70 pika 3 e Kushtetutës. Fitimi është i matshëm me para, me kapital.

Bardhi: Po me prona matet? Prona quhet apo jo?!

Balla: E sheh që nuk e keni seriozisht.

Bardhi: E kam shumë seriozisht.

Balla: Po qetësohu, çfarë të ka hyrë?

Bardhi: I qetë jam, juve çfarë ju ka hyrë?