Vendosni fjalën kyçe....

Klevis Balliu: Pallati i Brigadave tani do bëhet “Belvederja e oligarkëve”, Rama e ndan pasurinë kombëtare sipas oreksit


Partia Demokratike ka denoncuar dhënien me koncesion në sekret të plotë nga qeveria, të një pasurie tjetër kombëtare siç është Pallati i Brigadave.

Shefi i Organizimit në PD, Klevis Balliu në një deklaratë për mediet nga selia blu tha se qeveria ka vepruar ‘në mënyrë aspak transparente, madje sekrete’ kur vendosu të kalojë në menaxhim privat, për 20 vjet, një pasuri publike.

Me ironi ai u shpreh se ‘Tani do të bëhet ‘Belvederja e oligarkëve’.

“Kompleksi që u ndërtua si rezidencë mbretërore, u shndërrua në Pallat të Brigadave, dhe në fund rezidencë qeveritare, tani do të bëhet ‘Belvederja e oligarkëve’.

Qeveria ka vendosur, në mënyrë aspak transparente, madje sekrete, që të kalojë në menaxhim privat, për 20 vjet, një pasuri publike.

Duke imituar, si modelin e koncesionit të Butrintit, ashtu edhe shkeljen dhe paligjshmërinë e tij, qeveria nuk ndalet në marrëzinë për të urryer çdo gjë publike, dhe në babëzinë për të fituar personalisht nga çdo asset i përbashkët kombëtar.

Partia Demokratike thekson fort, se nuk ka në botë një model të tillë të leasing-ut të pasurive publike, dhe kjo është një shpikje e Ramës, e cila kënaq egon pseudo-artistike të tij dhe rrethin e ngushtë të përfituesve.

Ku ka heshtje ka edhe një hile, dhe asgjë tjetër veç hiles nuk e shpjegon mbajtjen sekret, mos konsultimin, as me ekspertët, dhe as me publikun.

Për asete kombëtare duhet konsultim kombëtar. Kryeministri shpall konsulta të rrejshme për de çiftimin e Shqipërisë nga Maqedonia e veriut, vendim në të cilin shqiptarët kanë zero tagër.

Kur vjen puna te pasuritë, që janë të tyret, dhe për të cilat u takon mendimi dhe vendimi, ai i shpërndan sipas oreksit dhe në fshehtësi. Partia Demokratike i kërkon publikut të mos bjerë në kurthin e propagandës se ‘Pallati po hapet për njerëzit’. Pyetjet janë dhe mbeten: Pse pa konsultë? Pse me procedura të fshehta? Kush do jenë menaxhuesit? Dhe, a janë të përfshirë ‘të dyshuarit e zakonshëm’ në këtë projekt, që ngjan si asgjë më pak se afera korruptive e radhës.”– tha Balliu.