Vendosni fjalën kyçe....

Partia Demokratike: Rama projekt tjetër pabesie, kërkon të legalizojë kanabisin në vendin e 7 në botë për prodhim dhe trafikim të lëndëve narkotike


Partia Demokratike ka kundërshtuar draftin e qeverisë që synon legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore duke e cilësuar si një “tjetër projekt pabesie”.

Në një deklaratë për mediet nga selia blu, anëtarja e Kryesisë Eleina Qirici u shpreh se: “Pasi i voli arat, kodrat dhe malet e Shqipërisë për 8 vjet, duke informalizuar ekonominë dhe kriminalizuar shoqërinë, Edi Rama ka gati një projekt tjetër pabesie. Me anë të një projektligji, të bërë publik së fundmi, ai kërkon të legalizojë kanabisin. Vendin e 7 në botë për prodhim dhe trafikim, kërkon ta fusë në thesin e legalizimit të lëndës narkotike”.

Sipas zonjës Qirici, Shqipëria “nuk është Amerika dhe as Holanda” me institucione të kontrollit dhe të balancës. Kështu që sipas saj, nuk ka siguri se, ai që shitet si legalizim për qëllime mjekësore, nuk është formalizim i trafikut të drogës.

DEKLARATA E PLOTË

Në një raport të Kombeve të Bashkuara për vitin 2022, Shqipëria renditet e shtata në botë për origjinën, nisjen dhe transitin e kanabisit për periudhën 2016-2019.

Këtu nuk ka lajm, sepse raporti pasqyron një fakt që Partia Demokratike e thotë, e thekson, e bërtet prej kohësh.

Partia Demokratike ndjen keqardhje për murin e turpit ku e varin Shqipërinë raportet ndërkombëtare, siç është edhe ky i fundit.

Faji nuk është i raporteve, por i qeverisë në krye të vendit.

Ajo që duam të theksojmë është se, kriza nuk zgjidhet duke hapur një krizë tjetër.

Pasi i voli arat, kodrat dhe malet e Shqipërisë për 8 vjet, duke informalizuar ekonominë dhe kriminalizuar shoqërinë, Edi Rama ka gati një projekt tjetër pabesie.

Me anë të një projektligji, të bërë publik së fundmi, ai kërkon të legalizojë kanabisin.

Vendin e 7 në botë për prodhim dhe trafikim, kërkon ta fusë në thesin e legalizimit të lëndës narkotike.

Nga cili pozicion e bën kritizerin Partia Demokratike?

Së pari, Shqipëria e Ramës nuk është Amerika dhe as Holanda, me institucionet e kontrollit dhe të balancës.

Pra, nuk ka siguri se, ai që shitet si legalizim për qëllime mjekësore, nuk është formalizim i trafikut të drogës.

Së dyti, përvoja rajonale, në rastin e Maqedonisë së Veriut, ka treguar se një sipërmarrje e tillë është një dështim.

Së treti, nga tradita e partneriteteve të qeverisë, ne dyshojmë se, me të njëjtat metoda dhe të njëjtët njerëz, nuk do kemi më shumë se koncesionin e radhës të tarafeve dhe monopolizimit.

Me këto nisma, jo transparente, Shqipëria është në rrezik.