Vendosni fjalën kyçe....

Shoqata e Infermierëve ngre alarmin: Krizë për mjekë e infermierë, Ministria po u lutet profesionistëve në pension të ndihmojnë



Shoqata e Infermierëve ka ngritur shqetësimin se në Shqipëri ka mungesa mjekësh dhe infermierësh.

Në një njoftim, Shoqata e Infermierëve thotë se janë në krizë për personel në shumë spitale shtetërore, por edhe në ato private nuk kanë mjekë apo infermierë specialist. Madje profesionistëve të dalë në pension, u kërkohet të rikthehen në punë për të plotësuar këto nevoja.

“Shumë spitale si shtetërore ashtu dhe private janë me mungesa të mëdha të mjekëve specialist dhe infermierëve.

Sikur të mos mjaftonte kjo ditët e fundit Ministria e Shëndetësisë për të plotësuar nevojat për staf në Qendrat Shëndetësore Verore po telefonon dhe po u kërkon mjekëve të dalë në pension të bëhen pjesë e këtyre shërbimeve.”– thuhet në njoftim.

Shoqata ngre pyetjen se kur do të ndërgjegjësohen në Ministri për të rregulluar politikat e punësimit dhe vlerësimit të stafit mjekësor para se Shqipëria të kthehet “monopol i një grupi mjekësh”.

DEKLARATA E PLOTË

Shqipëria në krizë për personel shëndetësore me mungesa të mëdha të mjekëve dhe infermierëve.

Ashtu siç kishte parashikuar Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë që Shqipëria do jetë në kolaps për personel Shëndetësore ashtu po ndodh.

Shumë spitale si shtetërore ashtu dhe private janë me mungesa të mëdha të mjekëve specialist dhe infermierëve.

Sikur të mos mjaftonte kjo ditët e fundit Ministria e Shëndetësisë për të plotësuar nevojat për staf në Qendrat Shëndetësore Verore po telefonon dhe po u kërkon mjekëve të dalë në pension të bëhen pjesë e këtyre shërbimeve.

Pse vallë kur ne ngremë shqetësime reale ato nxjerrin lloj lloj justifikimesh apo shpesh dhe duke përgënjeshtruar shifrat e deklaruara nga ne të largimeve masive nga Shqipëria të mjekëve dhe infermierëve dhe sot del zbuluar ky realitet ku Ministria për të mos dalë zbuluar që nuk ka mjekë e infermierë ju lutet stafit të dalë në pension për t’ju bashkuar për të shërbyer.

Kur do ndërgjegjësohen për të rregulluar politikat e duhura të punësimit dhe vlerësimit të stafit mjekësore para se Shqipëria të bëhet monopol i një grupi mjekësh e infermierësh të politizuar që kanë kthyer si pronë të tyre vendin e punës apo çdo post tjetër duke bërë që infermierët dhe mjekët e aftë të largohen nga Shqipëria. Mos vallë duhet t’i kthejë sytë Ministria nga vendet e tjera për të plotësuar nevojat për staf mjekesor në vend???

Nuk keni parë gjë akoma…pasi tani është vonë për të ndaluar këtë hemoragji në Shëndetësi.