Vendosni fjalën kyçe....

Açka ironizon Ramën pas debatit me gazetarin: Në fakt duhet të hapim me ligj një shkollë, atë të riedukimit të Kryeministrave të Demokraturës


Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka ka reaguar në lidhje me debatin e djeshëm të kryeministrit Edi Rama me gazetarin Klevi Muka.

Duke iu referuar deklaratës së kryeministrin se do e fuste gazetarin “në riedukim për 3 muaj”, duke e pranuar atë nëpër konferencat e tij për shtyp, Açka thotë se termin “riedukim”, Rama e ka marrë nga diktatura. Më pas shton me ironi se duhet hapur me ligj një shkollë, por për riedukimin e kryeministrave të Demokraturës.

“E kush e mendonte se njeriu që dikur është rrahur për fjalën e lirë, të kthehej në harbutin e mediave kur të ishte në pushtet.
Në solidariteit me gazetarët!
Si mund të kalojë nëpër duart e pushtetit të tij për t’u votuar Statusi i gazetarit? Do ta kthejë në ‘Urdhri i gazetarit’, ose më keq akoma, në ‘Spaçi i gazetarit’.
Fjala ‘Riedukim’ në demokraci është marrë borxh nga diktatura.
Në fakt na duhet të hapim me ligj një shkollë, atë riedukimit të Kryeministrave të Demokraturës.”- shkruan Açka.

Kujtojmë se ditën e djeshme, gazetari Klevi Muka iu drejtua me një pyetje ministres Olta Xhaçka që e acaroi kryeministrin Edi Rama.

Gazetari i kujtoi ministres Xhaçka Kodin Etik dhe e pyeti nëse e ka takuar bashkëshortin e saj biznesmen dhe investitor strategjik në prani të punonjësve të administratës.

Kjo sepse sipas Kodit Etik të miratuar nga vetë Qeveria Rama, ministrave te kabinetit u ndalohen takimet private me biznesmenët apo investitorët, dhe në rast se ata takohen duhet të bëhen në prani të dy punonjësve të administratës.

Kjo e acaroi Ramën i cili tha: “Tani këtu përgjigjen do ta jap unë. Do kalosh në riedukim si Ambrozia për tre muajt e ardhshëm, nuk je i mirëseardhur në asnjë Konferencë Shtypi.”