Vendosni fjalën kyçe....

Erkand Qerimaj fiton medaljen e argjende në Lojërat Mesdhetare


Peshëngritësi Erkand Qerimaj ka arritur që të marrë një medalje argjendi në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”.

Qerimaj e mori medaljen në stilin e shkëputjes në në peshat 73 kg, në një garë që nuk kaloi pa polemika.

Pasi dështoi në dy provat e para me 148 kg, Qerimaj realizoi me sukses provën e tretë me 149 kg, duke shpërthyer në festë. Por çuditërisht dy nga tre gjyqtarët e konsideruan fillimisht provën të pa rregullt. Kjo gjë solli protesta të forta nga Qerimaj, trajneri Sokol Bishanaku dhe presidenti i FSHP-së Elez Gjoza. Më  pas në rishikim, gjyqtaria vendosi ta quante si provë të rregullt.

Ky rezultat i jepte momentalisht të artën shkodranit, por në provën e fundit italiani Mirko Zanni ngriti 150 kg, duke e marrë ai vendin e parë. Kjo ishte medalja e katërt për Shqipërinë në “Oran 2022”, pasi më parë kanë fituar medalje ari atletja Luiza Gega, mundësi Zelimkhan Abakarov, ndërsa një bronzi e ka marrë mundësi Islam Dudaev.