Vendosni fjalën kyçe....

Hapen rruga Kardhiq-Delvinë dhe tuneli i Skërvicës, Rama pritet nga banorët me këngë


Hapet për qarkullim, rruga e re kombëtare Kardhiq-Delvinë sëbashku me tunelin e Skërficës.

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit, ku u prit nga banorët e zonës të cilët kishin marrë edhe fëmijët me vete dhe kishin organizuar një “mini-koncert” për të. Ramës i kënduan këngë polifonike si dhe një grup fëmijësh të talentuar i ranë violinës për të.

Kryeministri ishte i shoqëruar nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, si dhe ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro.

Kjo e fundit teksa prezantonte projektin tha se tashmë shtëpitë Gjirokastra, Përmeti dhe Tepelena janë me pamje nga deti.

“Është revolucion sa i përket hartës turistike. Itinerari ka qenë vetëm me një kah, Gjirokastër ose Sarandë. Nga Saranda edhe për shkak të trafikut, janë vetëm 20 minuta deri në fund të tunelit. Sarandë-Gjirokastër 35-40 minuta.

Harta turistike nuk është vetëm më detare. Jemi ofertë që lidh malin me detin. Kemi turizmin gjithëvjetor. Kanë filluar kërkesa për të blerë shtëpi në Gjirokastër me destinacion Sarandën. Interesi është në rritje, ne shohim flukset që vijnë nga portet, nëse deri vjet rrinin 1-2 ditë, tani rrinë 1 javë. Ka një ofertë më të madhe që e kapin në harkun e gjysmë ore. Po të keni parasysh lidhjen e Përmetit me Erseken dhe Korçën, lidhin detin me malësinë e Korçës. Po të shtojmë dhe dy investimet që janë bërë me Tepelenën dhe Vlorën dhe Himarën, praktikisht shtëpitë në Tepelenë, Gjirokastër e Përmet janë me pamje nga deti.”- tha Kumbaro.

Sipas qeverisë, aksi i më i ri rrugor në vend shkurton me 45 minuta udhëtimin drejt Sarandës “duke rritur sigurinë rrugore si edhe ofruar një tjetër spektakël të natyrës shqiptare.” Kujtojmë se kjo rrugë kushtoi 108 milionë euro për 33 km.