Lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, më 2 korrik hodhi poshtë propozimin e ri të Francës për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, që i hap rrugën nisjes së negociatave për integrim në Bashkimin Evropian.
Në tubimin e partisë së tij, VMRO-DPMNE para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Mickoski tha se “populli po zgjohet dhe të gjithë ata që duan t’i japin fund Maqedonisë [së Veriut] duke nënshkruar brenda një apo dy ditëve, populli maqedonas dhe qytetarët maqedonas nuk do ta harrojnë këtë. Nuk na duhet Evropa nëse duhet të asimilohemi”, theksoi kreu i VMRO-së Mickoski gjatë protestës me moton “Ultimatum – Jo faleminderit”.
“Nuk dua të jem në Evropë sepse kam të drejtë të jem maqedonas, që flet gjuhën maqedonase dhe që lufton për Maqedoninë e tij, për identitetin e tij, për kulturën e tij, për historinë e tij dhe për trashëgiminë e tij”, deklaroi Mickoski.
Ai shtoi se identiteti maqedonas është mbi të gjitha duke vlerësuar si “të dëmshëm” propozimin e ri francez pasi sipas tij, “nuk dallon nga propozimi i parë”.
Por, paraprakisht, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani deklaroi se propozimi i modifikuar francez për zgjidhjen e kontestit mes Shkupit dhe Sofjes, e mbyll çështjet e identitetit dhe gjuhës maqedonase, të cilat, sipas tij pranohen si të tilla nga Bashkimi Evropian.