Presidenti i vendit Ilir Meta ka kujtuar sot 2 korrikun e vitit 1990. Në këtë ditë 32 vjet më parë, mijëra shqiptarë hynë në mjediset e ambasadave perëndimore në Tiranë dhe kërkuan strehim politik për t’u larguar nga vendi.
Në mesazhin e tij në rrjetet sociale, Meta shprehet se liria ndërtohet mbi guximin.
“LIRIA NDËRTOHET MBI GUXIMIN!
Mirënjohje Ylli Bodinakut dhe të gjithë shqiptarëve, që në emër të lirisë, demokracisë dhe të një Shqipërie si gjithë Europa, thyen me heroizëm më 2 korrik 1990 izolimin e diktaturës për t’i dhënë vendit një drejtim të ri dhe të pakthyeshëm.
Rrugëtimi drejt Europës që nisi me guximin për të rrëzuar murin e Ambasadës Gjermane duhet përshpejtuar me vendosmërinë për të shkuar drejt anëtarësimit të plotë në BE.”– shkruan Meta.
Më tej ai shton se një e ardhme më e mirë se tre dekadat e mëparshme mund të garantohet vetëm me zbatimin e reformave.
“Ndërtimi i një të ardhmeje shumë herë më të mirë se tre dekadat që kaluan pas ‘Ngjarjeve të Ambasadave’ garantohet vetëm nëse zbatojmë në mënyrë të vendosur reformat e kërkuara, rikthejmë llogaridhënien në çdo nivel dhe dëgjojmë zërin e qytetarëve nëpërmjet referendumeve. Që kjo rrugë të jetë e shpejtë është vetëm në dorën tonë! Koha për të ndërtuar Europën në Shqipëri është tani!”- shkruan presidenti Meta.