Një nënë vegane në Florida është shpallur fajtore për vdekjen e djalit të saj 18-muajsh, pasi e kishte ushqyer vetëm me fruta dhe perime të papërpunuara.
Siç raportojnë mediet amerikane, 39-vjeçarja Sheila O’Leary po përballet me burgim të përjetshëm pasi gjykata e dënoi të mërkurën për vrasjen e vogëlushit të saj, Ezra O’Leary në vitin 2019.
Djali i saj i vogël peshonte vetëm 7.7 kilogramë, kur prindërit e tij vunë re se ai kishte ndaluar frymëmarrjen.
Sheila O’Leary dhe bashkëshorti i saj, Ryan O’Leary, i thanë policisë se për djalin e tyre të vogël kishin ndjekur një dietë të rreptë vegane – por ai gjithashtu ushqehej me gji.
Ata thanë se djali nuk kishte ngrënë për rreth një javë para vdekjes së tij dhe kishte probleme me gjumin. Autopsia zbuloi se djali i vogël vdiq nga komplikimet e kequshqyerjes.
Prokurorët e akuzuan nënën se nuk kishte kërkuar kujdesin e duhur mjekësor për djalin e saj kur e kuptoi se ai ishte i sëmurë.
“Ajo zgjodhi të shpërfillte klithmat e tij.”– tha Ndihmës Prokurorja e Shtetit Sara Miller gjatë fjalimit përfundimtar. Miller shtoi: “Ajo nuk kishte nevojë për një peshore për të parë kockat e tij. Ajo nuk kishte nevojë për një peshore për të dëgjuar britmën e tij.”
Prokurorët shtuan se çifti kishte lënë pas dore edhe tre fëmijët e tyre të tjerë, të gjithë nën moshën 11 vjeç. Edhe ata të kequshqyer.
“Ne jemi këtu sepse fëmijët e tyre po vdisnin nga uria aq shumë saqë më i vogli vërtet vdiq nga uria.”- tha Miller.