Nënkryetari i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi i bëri thirrje të gjithë qytetarëve të dalin në protestë në 7 korrik për të reaguar kundër një qeverie, e cila sipas tij po i vjedh shqiptarët.
Bylykbashi në një intervistë ka theksuar se kauzat për të cilat PD ka thirrur protestën janë kauza të të gjithë qytetarëve shqiptarë.
Bylykbashi tha se më 7 korrik nis opozita e vërtetë.
“Sigurisht që ne jemi ty për të udhëhequr këtë pakënaqësi të qytetarëve dhe protesta është pikërisht një kambanë e fortë për ti thirrur të gjithë drejt nevojës për ta ndryshuar këtë regjim kleptokratik dhe oligarkik. Qytetarët sot po vuajnë në të gjitha aspektet, qeveria po i vjedh po i grabit ditën për diell me mekanizma si këto bordet e transparencës që janë vendosur për të grabitur shqiptarët, ndërkohë që qeveria rezulton me fitim, merr para nga taksat për shkak të çmimeve të rritura nga qytetarë që varfërohen përditë e më shumë, po vendos sisteme taksimi edhe mbi shtresën e mesme, mbi biznesin, pra po I varfëron të gjitha shtresat.
“Të gjithë ne e kemi për detyrë që të bashkohemi në këtë sfidë të madhe për të rrëzuar Edi Ramën. Kështu që unë mendoj që është një moment shumë I mirë që të gjithë të kuptojnë që bashkohemi me qytetarët, bashkohemi së bashku, objektivin e kemi të përbashkët për të bërë një opozitë të fortë dhe të vërtetë dhe 7 korriku është një moment për gjithëkënd që të tregoje se ne jemi me zgjedhësit, nuk jemi me interesat. Në 7 korrik nis opozita e vërtetë” tha Bylykbashi për “Vizion plus”.