Vendosni fjalën kyçe....

Përplasja me armë në Athinë, ndërron jetë në spital shqiptari i tretë


Ka ndërruar jetë edhe personi i tretë i plagosur në ngjarjen e djeshme në kryeqytetin grek Athinë duke e rënduar edhe më shumë bilancin. Ai kishte plagosje me armë zjarri ndërsa u godit nga një makinë në ecje pasi doli nga mjeti tip Audi.

Athina u përgjak dje në dy përplasje me armë në dy lagje të saj ku mbetën të vdekur tre persona e u plagosën tre të tjerë. Shtetasit shqiptarë që u vranë janë dy të rinj rreth të 30-ave me iniciale J.T. e G.A.

Ngjarja nisi fillimisht në lagjen Kato Patisia ku nga një mjet Benz u hap zjarr ndaj një motori duke e lënë të plagosur rëndë drejtuesin e këtij të fundit. Pas motorrit ndodhej një automjet “Audi”, brenda të cilit ndodheshin dy persona, mes të cilëve në timon edhe babai i viktimës.

Duke pare ngjarjen, ky i fundit ka hapur zjarr ndaj makinës Benz duke lënë të vdekur atentatorin e djalit. Nga mjeti “Audi” ka dalë pasagjeri dhe në tentativë për t’u larguar me vrap për t’u fshehur është goditur nga një automjet në lëvizje duke mbetur i plagosur, i cili më pas ka ndërruar jetë në spital.

Një tjetër person ndërkohë ka dalë nga automjeti “Mercedes-Benz” dhe me kërcënimin e një arme ka ndaluar një mjet në rrugë, duke e grabitur e më pas ka ikur me të. Ai është drejtuar për në lagjen “Agion Anargiron” ku burimet flasin se ka tentuar të grabisë një karburant dhe një market.

Më pas ka dalë në rrugë dhe ka ndaluar një patrulle policie duke e menduar për taksi. Sapo ka parë policët, ka hapur zjarr ndaj tyre duke i plagosur, por edhe policët janë kundërpërgjigjur duke e vrare shqiptarin. Mësohet se të dy shqiptarët e vrarë, të cilët rezultojnë shokë me njeri-tjetrin, pasi të dy ndodheshin në automjetin “Mercedes-Benz”, rezultojnë të arrestuar për çështje droge në maj të vitit të kaluar në Athinë.