Vendosni fjalën kyçe....

Rama pas përlasjes më gazetarin: S’e lejoj shkeljen e etikës, shpifni, gënjeni e sajoni. Asnjë gazetari s’i ka hyrë gjemb në këmbë


Kryeministri Rama ka shkruar sot se nuk do lejojë që në konferencat e tij për shtyp të ketë shkelje të normave të etikës. Kreu i qeverisë iu referua kritika drejtuar atij për përjashtimin nga konferencat për shtyp të një gazetari, i cili sipas kreut të qeverisë ka shkelur normat gjatë pyetjeve të bëra në një konferencë shtyp.

Rama shkruan se qeveria është tërhequr nga ligji për mediat duke pritur që ato të vetërregullohen. Sipas tij asnjë gazetari nuk i ka hyrë asnjë gjemb në këmbë nga qeveria e tij ndërkohë që shpifjet janë shtuar.

‘E përshëndes si shprehje lirie sulmin e disave, që në emër të lirisë së medias kërkojnë legjitimim për lirinë e shkeljes së normave etike deri brenda konferencave të mia për shtyp, sepse jashtë tyre tanimë kjo liri është e legjitimuar plotësisht! Por kërkesa s’mund të plotësohet.

Jemi tërhequr nga përpjekja për ta normuar ligjërisht lirinë e shpifjes dhe të fyerjes, që në epokën e rrjeteve sociale ka marrë përmasa katastrofike! Nuk e kemi bërë as nga frika, as nga presionet po si reagim konstruktiv ndaj kërkesës së komunitetit mediatik për vetërregullim.

Ku është vetërregullimi? Nejse, do ta presim pa shpresë se do vijë! Por ndërkohë nuk ka për të ndodhur që të legjitimohet liria e shkeljes së normave etike sy më sy në praninë time. E kam ndryshuar ka kohë qasjen time, jo se janë zhdukur kazanët po se kam reaguar ndaj kritikave.

Por ja që asgjë s’ka ndryshuar nga ana tjetër, përkundrazi, megjithëse asnjë gazetari e asnjë medieje nuk i ka hyrë asnjë gjemb në këmbë nga kjo qeveri dhe megjithëse disponimi ndaj pyetjeve e kërkesave për informacion ka qenë maksimal, janë shtuar shpifjet e është ulur rankimi!

Si përfundim: Shpifni, gënjeni, sajoni, shkruajeni e fliteni shqipen keq sa të doni, sepse askush nuk do t’ju thotë “plaç”, po mos prisni që dhe kur vini për të pyetur mua të ushtroni publikisht në mënyrë të përsëritur lirinë e shkeljes së etikës dhe përsëri të jeni të mirëseardhur!’ – shkruan kryeministri Rama.