Kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi në qendrën “De Balie” në Amsterdam ka folur edhe për çështjen e “riedukimin” të gazetarëve të cilën kreu i qeverisë e ka përdorur në dy raste.
Rama tha se Shqipëria nuk është parajsa e lirisë por ai nuk është as kryeministri që, siç ndodh në disa vende, të kontrollojë titujt në darkë nëse janë shkruar siç duhet.
Kryeministri shtoi se “është luftëtar i çmendur” dhe nuk “hesht dot kur përballet me qëndrime idiote”.
“Nuk dua të përmend emra vendesh, por ka vende që udhëheqësit kontrollojnë titujt në darkë nëse janë shkruar siç duhet, dhe është mbresë që një gjë e tillë nuk ndodh në Shqipëri. Unë dua të respektoj kritikët, unë vij nga media e lirë, kam rrezikuar jetën për lirinë e fjalës, më është dashur të kaloj ferrin sepse kam folur, ndonjëherë nuk mund të rri pa folur përballë gjërave të çmendura që janë abuzim me lirinë e fjalës, shikoni vetëm tre ditë shtypin shqiptar dhe kuptoni që jo vetëm nuk ka trysni, por ka diçka shqetësuese, legjitimiteti i plotë i abuzimit me lirinë në dëm të çdo individi që duan të sulmojnë.
Nuk dua të them që jemi parajsa e lirisë, kjo lidhet me shumë gjëra, pronësia e medias, marrëdhënia me pronarët, bordet e shumë të tjera. Ne nuk jemi Holanda, por nuk ka asnjë rast të vetëm kur një gazetar apo televizion të ketë pasur telashin më të vogël nga qeveria. Unë jam një luftëtar i çmendur dhe nuk mund të hesht kur përballem me qëndrime idiote, më duhet të them fjalën time, pse liria është vetëm për gazetarët dhe jo për kryeministrin. Edhe unë dua të them gjëra, por jo, kuptoj që kam liri të kufizuar. Këtu jam në Holandë dhe mund të flas pak më shumë, ju vareni nga qeveria holandeze dhe askush nuk mund të thotë që jeni nën trysninë time”, tha Rama.