Enklava e pavarur e vetëshpallur e Luhanskut në Ukrainë është tashmë plotësisht nën kontrollin e Moskës, tha të dielën ministri rus i Mbrojtjes, Shoigu.
“Pas operacioneve të suksesshme ushtarake, forcat ruse dhe Milicia Popullore e Luhanskut kanë fituar kontrollin e plotë mbi qytetin e Lysyhansk dhe një numër vendbanimesh aty pranë.” – tha Ministria Ruse e Mbrojtjes në një deklaratë.
Ministri i Mbrojtjes Shoigu i raportoi Putinit të dielën se Republika Popullore e Luhanskut ishte çliruar.
Donetsk dhe Luhansk, të dyja pjesë e rajonit lindor të Ukrainës, Donbass në kufi me Rusinë, kanë qenë skena e një kryengritjeje të mbështetur nga Rusia që nga viti 2014, kur Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë të Ukrainës.
Presidenti Putin njohu “pavarësinë” e Donetskut dhe Luhanskut pak para fillimit të luftës në Ukrainë më 24 shkurt.
Ashtu si në Krime, i gjithë Donbasi ende njihet ndërkombëtarisht si territor ukrainas dhe forcat e armatosura të vendit vazhdojnë të luftojnë për të.