Institucionet financiare jo banka shënuan një rritje të ndjeshme të fitimeve vitin e kaluar.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vitin e kaluar këto institucione raportuan një rezultat financiar pozitiv prej 3.66 miliardë lekësh ose 30.5 milionë Eurosh. Fitimi neto i këtij sektori është rritur me 57% krahasuar me një vit më parë.
Në pjesën më të madhe, kjo shpjegohet shpërndarjen e dividendit nga banka tregtare, të cilat kanë si aksionarë institucione financiare jobanka. Ndikim pozitiv në rritjen e fitimeve të sektorit ka dhënë edhe rritja e fitimeve të disa prej institucioneve kryesore të kredidhënies dhe mikrokredisë, si Fondi Besa, Iute Credit Albania, Kredo Finance dhe Micro Credit Albania.
Rezultati i institucioneve financiare jobanka përbën rreth 14.5% të rezultatit të sistemit bankar. Megjithatë, treguesit e rentabilitetit rezultuan në nivele pak më të larta krahasuar me sektorin bankar, sidomos ai i kthimit nga aktivet. Kthimi nga aktivet për tregun arriti në 4,8% (nga 3,44% në vitin 2020), ndërsa kthimi nga kapitali arriti në 13,83% (nga 9,47% në vitin 2020).
Viti i kaluar ishte pozitiv për volume e biznesit të institucioneve financiare jo banka. Në fund të vitit 2021, portofoli i kredisë bruto për IFJB-të arriti në 42.1 miliardë lekë, në rritje me 15.1% krahasuar me vitin paraardhës. Kontributin kryesor në këtë rritje e dha segmenti i mikrokredisë, që solli rreth 70% të shtesës prej 5.5 miliardë Lekësh në portofolin e kredisë.
Pjesa më e madhe e portofolit të kredisë së IFJB-ve mbahet nga subjektet e kredidhënies dhe mikrokredisë (76.1%). Më pas renditet portofoli i subjekteve të qirasë financiare (22,8%) dhe portofoli i subjekteve faktoring (1,1%).
Portofoli i kredisë së IFJB-ve arrin në 5.9% të totalit të kredisë së sistemit bankar, duke ruajtur pothuajse të njëjtën peshë krahasuar me vitin paraardhës.
Në terma neto (duke zbritur provigjionet), portofoli i kredisë arriti vlerën e 37.4 miliardë Lekëve, në rritje me 11.6% krahasuar me një vit më parë. Rritja disi më e ulët në terma neto i detyrohet kryesisht shtimit të provigjioneve përkeqësimit të cilësisë së portofolit të kredisë.
Raporti i kredive me probleme të sektorit u rrit në 13.6%, nga 11.2% që kishte qenë një vit më parë. Rritja e kredive me probleme ka ardhur kryesisht si pasojë e përkeqësimit të cilësisë së portofolit në subjektet e mikrokredisë. Ky sektor në vitet e fundit po rritet me ritme të shpejta dhe nivelet relativisht të larta të riskut të marra përsipër janë reflektuar edhe në një keqësim të cilësisë së portofolit të kredisë. / E. Shehu.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor