Nga Arbër Zaimi
Kush ua hëngri jetën dhe emrin Hashire Gurakuqit, 95 vjeç e Thanas Çanit, 94 vjeç?
Simbas të thënave, ka pasur popuj që i kanë vrarë pleqtë. Psh. njihen legjendat për japonezët e moçëm që praktikonin ubasute-n, ritualin ku i biri e merr babën a nënën plakë në shpinë, dhe e çon në majë të një mali të shenjtë ku e lë të vdesë pasi ia merr bekimet (vetë marrja e bekimeve ngjan si një vjedhje e fundit në këtë rast). Dy regjisorë të mëdhenj japonezë kanë bërë film për këtë punë, Kinohita në 1958 (duke përdorur kanonet estetike të teatrit tradicional kabuki), dhe Imamura në 1983 me një qasje shumë më foucauldiane. Edhe regjisori me nam i thrillerit psikologjik korean, Kim Ki-Young, ka bërë një film në 1963 me të njëjtin skenar.
Njihen edhe legjendat për skandinavët e lashtë, që u njihnin njerëzve moshë çiftimi e pllenimi, moshë luftimi e pune, moshë për edukim nipash e mbesash, e pas asaj moshën për vdekje rituale, duke u hedhur nga shkëmbi. Praktika e quajtur “ättestupa”. Si gjithmonë, në fund u merret bekimi. U vidhet edhe ai. Edhe kjo del nëpër filma, psh. te Midsommar (2019) i famshëm i horroristit të ri e të talentuar, Ari Asterit.
Ekzistojnë dhe shembujt e kundërt kulturorë. Psh. te Eneida e Virgjilit heroi eponim, Eneu, e merr mbi krahë plakun e vet Ankizin paçka se çeta mizore e Uliksit dinak tashmë kishte nisur masakrën mbi trojanët e kapur në gjumë. Eneu nuk e lëshoi Ankizin edhe pse plaku i lutej ta linte të vdiste se trupi i tij nuk kish më vlerë e më mirë të shpëtonte veten. Por Eneu nuk e lëshoi kurrë t’atin plak, pavarësisht “kostove” siç do thoshte ekonomicisti i sotmë. Madje edhe kur Ankizi vdes, në Siqeli, ende pa arritur në destinacion trojanët që do të themelonin Romën, Eneu nuk e braktis. Në një nga bëmat e tij heroike, kur zbret nën dhe, ai nuk përmbahet tek sheh hijen e t’atit dhe rreket ta përqafë, por më kot.
—
Sido që të jetë, qytetërimi modern që nga shek. XIX e këndej, është i bazuar në solidaritetin mes brezave. Punon i riu e paguan taksa, me të cilat mbahet pensioni i plakut. E kështu me radhë. Vrasjet e pleqve u degdisën në legjenda, si kujtesë nga kohët primitive e të paqytetëruara.
U deshën vetëm katër dekada neoliberalizëm që të ktheheshim te primitivizmi i paqytetëruar. T’i braktisim pleqtë pa na u dridhur syri, madje duke kërkuar edhe bekimin e tyre.
Ama kjo arrin kulmin më raste si ky që u publikua sot në Shqipëri. Dy pleqve, Haxhire Gurakuqi 95-vjeçare dhe Thanas Çanit 94-vjeçar, të dy të lëshuar prej familjeve e të strehuar në shtëpitë e pleqve, u kanë vjedhur nënshkrimet e identitetin. Dhe kanë kaluar në emrin e tyre pronësi kompanish më se tridhjetë milion eurosh. Kuptohet, kapital kriminal, veprimtari e pistë, nga ky që ka deformuar gjithë shoqërinë dhe ja mbytur njerëzillëkun në Shqipëri. Pleqtë e shkretë as që dyshojnë gjë. U paskan thënë se nënshkrimet i paska kërkuar “prekuroria”.
Ky është momenti kur primitivizmi ynë arrin ekstremin. Këtu nuk është më thjesht gjeronticid. Këtu është gjerontofagi. Një klikë kriminale e pushtetit dhe e parasë, e cila është pasuruar jo duke prodhuar diçka vetë por duke rrjepur e duke shitur atë që trashëgoi nga pleqtë e braktisur, tani ka nisur edhe t’i kanibalizojë ata.
Kujt s’i bëhet vonë, edhe vetë aty do përfundojë.