Vendosni fjalën kyçe....

“Në bashki ka shumë parazitë, nuk dinë pse e marrin rrogën”-Deputetët e PD-së zënë ngushtë përfaqësuesen e shoqërisë civile


Mbledhja e Komisionit Parlamentar për Reformën Territoriale është shoqëruar me debate.

Gjatë seancës dëgjesë me përfaqësues të shoqërisë civile, kanë qenë dy deputetët e Partisë Demokratike, Bledion Nallbani dhe Saimir Korreshi, që kanë ngritur disa pyetje dhe evidentuar disa problematika nga Reforma Territoriale.

Ata i janë drejtuar përfaqësueses së shoqërisë civile, Albana Dhimitri, Drejtore Ekzekutive në Institutin e Politikave Publike dhe Private, me disa pyetje, por kjo e fundit, duke iu referuar një studimi mbi të ardhurat për kokë nga ndryshimi i hartës territoriale u shpreh se të ardhurat janë shumë më të larta në nivel bashkie se përpara reformës, gjë që nuk është cilësuar si realiste nga dy deputetët.

Nallbati: Kam dy pyetje të drejtpërdrejta. Thatë që janë rritur të ardhurat e bashkive. Këtë e shikoni si efiçencë më të mirë të bashkive apo mos ndoshta është e lidhur me rritjen e taksave dhe tarifave vendore. E dyta, ju thoni mos merremi me fondin e pagave. Sot ka më shumë parazitë që konsumojnë paratë e taksapaguesve shqiptarë në njësitë e qeverisjes vendore. Ka sot shumë punonjës që e marrin pagën pa e ditur se çfarë pune kanë, pa shkuar asnjë ditë në punë.

Deputeti Saimir Korreshi renditi disa problematika me të cilat po përballen bashkitë e vendit.

Korreshi: Keni qenë ndonjëherë në terren për të parë? E dyta, a është normale që 14 komuna u shkrinë në 12 bashki ekzistuese? Nëse keni zbritur në terren, çfarë ofrohet në njësitë administrative? Nuk i referohem Tiranës, kemi hall ne që flemë andej poshtë. Tani i keni bërë digjitale ju, por ata të shkretët kanë disa vite që nuk kanë zbritur në Lushnje, jo të kenë digjitalizim. Se shalqinj mbjellin andej. Si ka mundësi që sot ka më shumë punonjës në administratë edhe pse i kemi digjitalizuar shërbimet? A e dini ju që janë mbyllur shkollat e Lushnjës që nga viti 2015 e këtej dhe që 5 klasat e fillores bëjnë mësim në një klasë me një mësuese. Ky ligji i bashkëqeverisjes e shton apo e heq këtë autonomi. Tani cilësia e shërbimit ku është? Është rritur cilësia e shërbimit në bashkitë e tjera? Keni bërë një raport? Fshatrat janë lënë djerrë.

Zonja Dhimitri iu përgjigj deputetëve duke sjellë në vëmendje 2 elementë që lidhen dhe ndahen me njëri-tjetrin.

Dhimitri: Ka një koncept që quhet standardi minimal kombëtar. Shteti krijon ato ligje dhe i vë detyrim bashkive që të krijojë standardin minimal kombëtar. Çdo qytetar përfiton një standard minimal në shërbime dhe bashkitë konkurrojnë me njëra-tjetrën për të arritur këto standarde. Debati nuk kthehet te fondi i pagave. Konceptimi i një reforme ka të bëjë me faktin se ku e shikoni pushtetin vendor, ka të bëjë me rolin që doni t’i jepni qeverisë vendore.