Vendosni fjalën kyçe....

Një person qëlloi me armë në drejtim të një grupi fëmijësh në Shkodër, pamjet tregojnë ku përfundoi plumbi


Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në qytetin e Shkodrës, ku një person rreth 30 vjeç ka qëlluar me pistoletë në drejtim të një grupi fëmijësh 13-15 vjeçarë.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të shkollës “28 nëntori”, në qendër të qytetit të Shkodrës.

Nga pamjet e mëposhtme të publikuara nga “Balkanweb”, tregohet vendi ku ndodhi episodi i frikshëm. Në video shihet se plumbi ka përfunduar në verandën e një lokali ku qëndronte kondicioneri.

Ngjarja ndodhi rreth orës 18:00. Sipas policisë, një person ende i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri ku është dëmtuar veranda e një lokali aty afër dhe më pas është larguar.

Personi, i cili lëvizte me biçikletë, është afruar pranë vendit të quajtur “Lapidari” ku po rrinin fëmijët dhe ka qëlluar me pistoletë në drejtim të tyre. Fatmirësisht fëmijët nuk janë lënduar, ata e kanë parë personin dhe janë larguar me shpejtësi.