Vendosni fjalën kyçe....

Sulm me armë, gjashtë të vdekur në paradën e 4 Korrikut në Çikago


Gjashtë persona janë qëlluar për vdekje këtë të hënë në një paradë të organizuar me rastin e Ditës së Pavarësisë pranë qytetit amerikan të Çikagos.

Eventi i organizuar për katër korrikun në qytetin e Highland Park është ndërprerë papritur rreth 10 minuta pasi ka nisur, kur janë dëgjuar disa të shtëna me armë.

Zyrtarët e policisë thanë se ishin ende në kërkim të një burri të bardhë, të moshës 18-20 vjeç, të përshkruar si “i armatosur dhe i rrezikshëm”.

Autoritetet e qytetit thanë se 24 persona ishin shtruar gjithashtu në spital.

“Ky është një incident aktiv.”- thanë zyrtarët duke këshilluar qytetarët në zonë të “strehohen në vend”.

Banorëve u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi dhe të kontaktojnë të dashurit e tyre për t’u siguruar që ata janë të sigurt.

Policia tha se i dyshuari besohet të ketë qëlluar drejt pjesëmarrësve të paradës nga një çati aty pranë.

Zëdhënësi i policisë lokale Christopher Covelli tha se sulmuesi i dyshuar ishte “i armatosur dhe i rrezikshëm”.

Ai e përshkroi atë si një mashkull të bardhë të moshës 18-20 vjeç, i cili dukej se kishte shënjestruar pjesëmarrësit e paradës në mënyrë rastësore.

“Në një ditë që ne u mblodhëm për të festuar komunitetin dhe lirinë, ne po mbajmë zi për humbjen tragjike të jetës.”– tha kryebashkiakja e qytetit Nancy Rotering, citon BBC.

Kjo ngjarje vjen vetëm një muaj pas sulmeve me armë që ndodhën në Uvalde, Teksas dhe Buffalo, Nju Jork. Po ashtu një javë pasi Kongresi i SHBA-ve miratoi legjislacionin e parë dypartiak për armët në Amerikë.