Vendosni fjalën kyçe....

24 orë nga skandali i inceneratorëve/ Reagon Tabaku: Eh sa shqetësuese janë paratë e pista të emigrantëve


Pas të dhënave të dala në dritë 24 orët e fundit lidhur me skandalin e inceneratorëve, ishte i pritshëm një reagim nga Jorida Tabaku e cila për disa muaj ka drejtuar Komisionin e Hetimit të Inceneratorëve.

Dhe 24 orë pas denoncimeve shqetësuese dhe publikimit të historisë së të moshuarve që brenda ditës mësuan se janë “biznesmenë të mëdhenj” ka ardhur vërtet një reagim nga Tabaku. Por për një çështje krejt tjetër… paratë e emigrantëve.

Në një postim në “Facebook”, Tabaku shkruan: “Fatkeqësisht emigrantët po përdoren si fasadë për të mbuluar qëllimin e vërtetë të qeverisë, legalizimin e parave të fituara pandershmërisht jo nga emigrantët por nga personat që kanë shkelur ligjet.”

Më tej ajo shton se shqetësimi i BE është edhe më i saktë,” përderisa Shqipëria ka rrezik të kthehet jo vetëm parajsë e të dënuarve shqiptarë por edhe parajsa e të huajve që kërkojnë amnisti fiskale dhe penale.” Deputetja shprehet se shqiptarët kanë nevojë për investime të forta dhe jo për ligje që promovojnë pandershmërinë dhe pabarazinë.

Zonja Tabaku si drejtuese e komisionit hetimor kishte mundësitë dhe kapacitetet në dispozicion për të kontrolluar çdo shkresë në secilin institucion të vendit për t’i zbuluar detajet e skemës kriminale të inceneratorëve dhe tani që ajo kanë dalë në dritë jo falë saj, duket se ka zgjedhur të heshtë.

KOMENTI I PLOTË I TABAKUT:

Pabarazia si vizion i mazhorancës

Qeveria po pretendon se drafti i Amnistisë Fiskale është një projektligj në shërbim të emigratëve dhe shqiptarëve.

Pretendimi i anëtarëve të qeverisë është se me këtë draft nuk fitojnë amnisti të korruptuarit por emigrantët.

Sa të besueshëm janë ato? Pak, për të mos thënë aspak.

Fatkeqësisht emigrantët po përdoren si fasadë për të mbuluar qëllimin e vërtetë të qeverisë, legalizimin e parave të fituara pandershmërisht jo nga emigrantët por nga personat që kanë shkelur ligjet.

Pabarazi të tilla kanë shndërruar Shqipërinë në parajsën e pandershmërisë ndërsa e kanë shkretuar atë nga talenti dhe aftësia për të gjeneruar ide të reja në shërbim të kapitalit dhe ekonomisë.

Shqetësimi im është se shqiptari që punon për të prodhuar ide dhe risi teknologjike taksohet deri në 23% ndërsa ata që punojnë pandershmërisht taksohen 7% dhe amnistohen.

Shqetësimi i BE është edhe më i saktë, përderisa Shqipëria ka rrezik të kthehet jo vetëm parajsë e të dënuarve shqiptarë por edhe parajsa e të huajve që kërkojnë amnisti fiskale dhe penale.

Reagimi Komisionit Europian vetëm sa përforcon frikërat se ky projektligj do të amnistojë jo mundin e emigratëve por pandershmërinë.

Ne kemi nevojë për ide, risi dhe zhvillim të ekonoisë pasi ajo do të gjenerojë kapital dhe parà. Shqipëria ka nevojë për investime të forta dhe jo për ligje që promovojnë pandershmërinë dhe pabarazinë.