Vendosni fjalën kyçe....

Avioni i pasagjerëve fluturon për 14 orë nga Dubai në Brisbane me një vrimë të madhe (PAMJET)


Pilotët dhe pasagjerët e një avioni që fluturoi nga Dubai në Brisbane të Australisë u befasuan kur zbuluan se ata e bënë udhëtimin 14-orësh me një vrimë të madhe në avionin me të cilin po udhëtonin.

Sipas Aviation Herald, i cili gjurmon incidentet e sigurisë së linjave ajrore, ekuipazhi dhe pasagjerët e fluturimit EK-430 të së premtes raportuan një zhurmë të fortë rreth 45 minuta pasi avioni u ngrit nga aeroporti kryesor i Dubait.

Pilotët besuan se një nga gomat e avionit mund të ishte shfryrë dhe paralajmëruan kontrollin e trafikut ajror në Brisbane, duke kërkuar që shërbimet e urgjencës të ishin në gatishmëri.

Pasi avioni u ul me sukses dhe pasagjerët u larguan, inxhinierët gjetën një vrimë të madhe të hapur në pjesën e poshtme të krahut të majtë të Airbus A380.

Linja ajrore e Emirateve më vonë shpjegoi për “The Independent” se incidenti ishte rezultat i një prej 22 gomave të mjetit që pësoi një defekt teknik gjatë ngritjes. Goma u këput dhe dëmtoi një “pjesë të vogël të panelit aerodinamik, i cili është një panel i jashtëm ose lëkura e avionit“- tha një zëdhënës i Emirateve për median.

Ai vuri në dukje se ky incident nuk kishte ndikuar në “trupin, kornizën ose strukturën e avionit”.

“Aeroplani u ul në mënyrë të sigurt në Brisbane dhe të gjithë pasagjerët u zbarkuan siç ishte planifikuar.”– tha zëdhënësi sipas RT-së.

Sipas linjës ajrore, avioni i pasagjerëve tashmë është rregulluar plotësisht dhe pajisja e tij është zëvendësuar, kontrolluar dhe pastruar nga inxhinierët dhe të gjitha autoritetet e tjera përkatëse.

A380 i cili konsiderohet si avioni më i madh i pasagjerëve në botë u kthye në Dubai të dielën.