Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi i Kryemadhit: Dokumentet e 90-vjeçarit në QKR të falsifikuara, në aferë është implikuar edhe Krimi Ekonomik


Kryetarja e LSI-së ka deklaruar sot se i moshuari Thanas Çani, emri i të cilit del në dy kompani me transaksione disa milionë euro të lidhura me inceneratorin e Tiranës nuk ka asnjë dijeni për këtë gjë.

Ajo pohoi se i moshuari është thirrur nga Krimi Ekonomik në vitin 2019 për një faturë 300 mijë eurosh ndërsa nuk i kanë treguar se në letra rezultonte administratori i kompanisë në fjalë.

Çështja është lënë pa hetuar në vijim ndërsa Kryemadhi shtoi më tej se dy kontratat ku 90-vjeçari Çani rezulton administrator nuk janë të noterizuara dhe se aty nuk është firma e të moshuarit.

“Sapo jam ndarë me djalin e Thanas Çanit, isha në një bisedë me të. Jo vetëm që nuk kanë dijeni, dhe nuk kanë firmosur kontrata të tilla por në vitin 2019 janë thirru nga krimi ekonomik në Tiranë për një faturë 300 mijë euro. Më 8 korrik të vitit 2019 e ka thirrur dhe ka marrë dijeni se zotëria nuk e dinte, nuk i kanë thënë që ishte administrator i kësaj firme apo që ka firmosur një kontratë. Nuk i kanë thënë asgjë. Problemi tjetër që implikon dhe që duhet të hetohet është që të dy kontratat e z. Thanas Çani janë të panoterizuara. Firma nuk është e Thanas Çanit. Me gjeni një biznes që regjistrohet në QKR pa dokumente të noterizuara. Ka fatura pafund të Klodian Zotos në këto 24 kompani fiktive që kanë bërë evazion fiskal. Ne ende nuk e kemi dorëzuar padinë në SPAK për këtë çështje. SPAK duhet të thërrasë Edi Ramën. Të moshuarve i është marrë karta e identitit, u është vjedhur dhe më pas janë kryer ato veprime.” – tha Kryemadhi.