Presidenti turk Rexheo Taip Erdogan ka fajësuar Greqinë, këtë herë për emigrantët. Erdogan i tha kryeministrit italian Mario Draghi, i cili vizitoi Ankaranë, se Greqia tani ka filluar të paraqesë një rrezik dhe për Italinë, me zmbrapsjet që ajo kryen drejt Adriatikut.
“Sidomos në këtë çështje, në zmbrapsjet që po tentojnë, për fat të keq, Greqia tani ka filluar të përbëjë rrezik për Italinë, përtej Evropës. Ku janë gjithë këta njerëz, emigrantët e parregullt, ku po përpiqen të gjejnë strehim tani? Ata po përpiqen të arratisen në Itali. Ne po i marrim këta njerëz nga detet, duke bërë më të mirën. Ne përpiqemi t’i shpëtojmë duke i mbledhur nga detet. Por i njëjti problem ekziston edhe në Itali. Do të doja të dëgjoja edhe mendimet e z. Draghi për këtë çështje. Ja ku jeni zoti kryeministër”, tha presidenti turk, duke “sfiduar” Mario Draghin për të marrë një pozicion.
Draghi tha se emigrantët vijnë nga lindja, nga Turqia dhe Greqia. “Ajo që po them është se çështja e emigracionit duhet të menaxhohet në mënyrë humane, të drejtë dhe efikase. Ne i shohim këta njerëz në detet tona, ata vijnë me anije. Sjellja jonë në këtë drejtim është e shkëlqyer. Sigurisht që ne jemi një vend shumë i hapur në këtë drejtim, por ka diçka që duhet realizuar. Nuk mund të jemi pafundësisht të hapur. Ndonjëherë situata në vendin pritës po bëhet e padurueshme”, theksoi kryeministri italian.