Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi u jep porositë kryetarëve të rretheve: 25 korriku shumë i rëndësishëm për ne, pse duhet t’i bashkohemi dhe protestës së 7 korrikut


Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, ka mbledhur këtë të martë të gjithë krerët e degëve, për të folur mbi aksionin politik të opozitës pas 25 korrikut.

Ajo dha porositë e saj për Konventën e 25 korrikut, ku mendohet se do të ketë edhe një rikthim të Ilir Metës, të cilit i mbaron mandati i presidentit më 24 korrik.

Sipas Kryemadhit, 25 korriku ka një rëndësi të veçantë dhe ka kërkuar nga të gjithë strukturat që ta marrin seriozisht.

“Në pranverën e ardhshme kemi zgjedhje dhe duhet të jemi shumë më të përgatitur sa i përket prezencës tonë. Angazhimi ynë duhet të jetë më i madhe krahasuar me fushatat e tjera.

25 korriku është Konventa Kombëtare. Numri i delegatëve nuk e kalon 800. Ka disa largime, disa jashtë shtetit, disa janë larguar nga LSI, gjë që në bashkëpunim me kryetarët në rretheve ne duhet të vendosim një koordinim për të pasur evidentimin e atyre që janë larguar.

LRI duhet të këtë angazhimin e saj për përgatitjen e kandidatëve.

25 korriku ka një rëndësi të veçante për ne për sa i përket ngjarjes dhe zhvillimit politik që do të marrë LSI në të ardhmen. Prandaj dua që ta marrim seriozisht të gjithë, grupi i punës po punon dhe kush tjetër dëshiron të na bashkëngjitet.

Edhe Komisioni për Reformën Zgjedhore dhe Territoriale do të kemi një plan masash dhe prezantimi që do të duhet për ta shpalosur në Konventë.”– tha Kryemadhi.

Ajo foli edhe për protestën e 7 korrikut, të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.

“Para 25 prillit është protesta e datës 7 korrik, që është shumë e rëndësishme. Nuk është e rëndësishme për ta pasur si organizim politik, por për të sensibilizuar njerëzit, që të dalin dhe të protestojnë. Të mos protestojnë për partitë politike, por për veten e tyre. Është shumë e rëndësishme t’i njoftojmë njerëzit, t’i shpërqendrojmë nga ajo indiferencë që kanë. 7 korriku është për të treguar se në protestë nuk janë vetëm partitë politike, por edhe qytetarët.”- tha Kryemadhi.