Vendosni fjalën kyçe....

Personazhet e Hollivudit tallen me Ditën e Pavarësisë, mesazhe kundër Gjykatës së Lartë


Personazhet e famshme të Hollivudit kundërshtuan të festojnë 4 korrikun, Ditën e Pavarësisë, duke shpërndarë mesazhe polemizuese në rrjet. Sipas tyre, SHBA-ja është një vend që shtyp gratë pasi ato nuk mund të abortojnë, racizmi është i shfrenuar ndërsa ish-presidenti Trump shëtit i lirë.

Yje si Barbra Streisand, Jessica Chastain, Bette Midler, Ron Perlman dhe Rob Reiner me radhë qortuan vendin dhe tallën “pavarësinë”. Zemërimi i tyre vjen në një kohë kur e majta po nxit kundërshtimin e plotë të 4 korrikut, së bashku me bindjet se SHBA dhe institucionet e saj themeluese – veçanërisht Gjykata e Lartë – janë të paligjshme.

Katy Perry, Bette Midler dhe Jessica Chastain ishin vetëm disa nga shumë yjet e Hollivudit që morën pjesë në protestat e mediave sociale kundër Ditës së Pavarësisë, pasi Gjykata e Lartë vendosi për të ndryshuar ligjin e abortit në vend më shumë se një javë më parë.

Aktorët e këngëtarët mësynë rrjetet sociale me mesazhe kundër pavarësisë e kundër Gjykatës së Lartë.

Aktorja Jessica Chastain tregoi gishtat e saj të mesit në internet në një foto, të cilën e kishte mbishkrimin “Gëzuar Ditën e ‘Pavarësisë nga unë dhe të drejtat e mia riprodhuese”.

Vendimi i SCOTUS-it të premten, më 24 qershor, i dha fund njohjes së një të drejte kushtetuese për abortin që kishte qenë në fuqi që nga viti 1973 dhe u dha shteteve individuale fuqinë për të lejuar, kufizuar ose ndaluar krejtësisht praktikën.