Arrestohet 49-vjeçari në Shkodër i cili qëlloi dje me armë në drejtim të një grupi fëmijësh në pedonalen e këtij qyteti.
Agron Mehmeti akuzohet për tentativë vrasje të një të mituri.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shkodër bënë ndalimin e shtetasit A. M., 49 vjeç, banues në lagjen ‘Guerrile’, Shkodër, pasi ditën e djeshme, ka qëlluar me armë zjarri pistoletë, për motive të dobëta, në drejtim të një shtetasi 13 vjeç, banues në lagjen ‘Perash’, Shkodër, i cili nuk ka marrë dëmtime.
Është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë me të cilën dyshohet se ka qëlluar shtetasi A. M.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale ‘Vrasja’, mbetur në tentativë, ‘Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak’ dhe ‘Prishje e qetësisë publike’.”- bëri me dije sot Policia.
Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme rreth orës 18:00, në qendër të qytetit të Shkodrës, kur lulishtja dhe pedonalja ishin plot me njerëz.
Sipas “Balkanweb” djali i 49-vjeçarit, rreth 13 vjeç, ishte konfliktuar me një fëmijë tjetër dhe menjëherë në vendngjarje ka shkuar babai i tij, i cili mbante një pistoletë.
Ai ka qëlluar dhe plumbi ka përfunduar në një prej lokaleve aty afër, por fatmirësisht nuk ka kapur asnjë person. Më pas Mehmeti thuhet se ka qëlluar njërin prej fëmijëve me qytën e pistoletës dhe është larguar me biçikletë.