Vendosni fjalën kyçe....

Sulmi me 6 të vdekur në SHBA, arrestohet 22-vjeçari i dyshuar


Policia amerikane ka arrestuar një të dyshuar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur një ditë më në Çikago, ku gjashtë persona u vranë në një sulm me armë zjarri në paradën e organizuar me rastin e Ditës së Pavarësisë.

Siç shkruan BBC, në pranga është vënë një 22-vjeçar i identifikuar si Robert E Crimo III.

Personi i armatosur u ngjit në një çati, duke qëlluar rastësisht mbi spektatorët duke përdorur një pushkë me fuqi të lartë. Kjo vetëm pak minuta pas fillimit të paradës.

Ajo që duhej të ishte një ditë festimi u shndërrua shpejt në panik, me karriget, çantat që u braktisën në shesh e rrugë, ndërsa turmat u larguan nga vendi i ngjarjes.

Një burrë, i cili po hante mëngjes në një pikë të “Starbucks” aty pranë vendit kur ndodhën të shtënat, i tha BBC-së se 30 njerëz erdhën me vrap në kafene për të kërkuar strehim. Por ata të gjithë duhej të evakuoheshin sepse menduan se i armatosuri po përpiqej të hynte nga dera e pasme. Pesë të rritur u vranë në vendngjarje dhe një tjetër vdiq më vonë në spital. Dhjetëra të tjerë u plagosën.