Vendosni fjalën kyçe....

Meta për amnistinë fiskale: Qeveria të heqë dorë, kushdo që mendon të kompromentojë shqiptarët si bashkautorë në krim e ka gabim


Presidenti i vendit Ilir Meta ka reaguar për projektligjin e amnistisë fiskale dhe penale, dhe shqetësimet e ngritura nga FMN.

Ai kërkon nga qeverisa që të hiqet dorë nga kjo nismë, duke argumentuar se nga ajo do favorizohej qartë bota e krimit. Sipas tij, kush mendon të kompromentojë shqiptarët e ndershëm si bashkautorë në krim e ka gabim.

“Shpërfillja e papërgjegjshme e Qeverisë ndaj tyre është e papranueshme dhe e patolerueshme.

Kushdo që mendon se do të kompromentojë shqiptarët e ndershëm si bashkautorë në krim e ka gabim.

Bëj thirrje të hiqet urgjentisht dorë nga kjo përpjekje e pashpresë, dhe të zbatohen pa vonesë rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bashkimit Europian, duke u kërkuar ndjesë të gjithë shqiptarëve të ndershëm për këtë provokim të pamerituar.”- shton Meta.

Sipas tij, qeveria shqiptare ka për detyrë të krijojë kushtet dhe të stimulojë zhvillimin e vendit përmes punës së ndershme, konkurrencës së lirë dhe mundësive të barabarta, dhe jo ta shpallë krimin si modelin e suksesit në jetë.

REAGIMI I PLOTË I METËS

Kam ndjekur me shumë vëmendje reagimet e shumta nga ekspertë vendas dhe të huaj, si dhe paralajmërimin zyrtar të Bashkimit Europian, mbi projektligjin për amnistinë fiskale dhe penale.

Ndër argumentet e bazuara kundër kësaj nisme të Qeverisë, paralajmërohet se përmes këtij ligji:

– Do të favorizohej qartësisht bota e krimit, duke ofruar mundësinë që të ardhurat e përftuara ndër vite prej aktivitetit kriminal nga grupe të organizuara apo individë të pushtojnë ekonominë vendase, dhe veçanërisht tregun financiar, në mënyrë të ligjshme;

– Do të goditej drejtpërdrejt dhe dëmtohej biznesi i ndershëm dhe iniciativa e lirë vendase;

– Do të dekurajoheshin edhe më tej investimet e huaja serioze në Shqipëri;

– Do të kriminalizohej e gjithë ekonomia, dhe si pasojë edhe gjithë shoqëria shqiptare, duke ekspozuar vendin si destinacion që favorizon veprimtarinë e organizatave dhe grupeve kriminale mafioze ndërkombëtare;

– Do të minohej edhe më tej besimi i shoqërisë tek shteti i së drejtës, tek institucionet, tek barazia përpara ligjit, dhe do të nxitej edhe më shumë ekonomia informale;

– Do të inkurajohej perceptimi i gabuar dhe shumë i rrezikshëm se çdo veprimtari kriminale dhe produkt i saj do të amistohet gjithmonë në të ardhmen;

– Do të sillte si pasojë rritjen kriminalitetit të rrugës;

– Do të minoheshin përpjekjet për të luftuar krimin e organizuar, që sipas raporteve të agjencive të specializuara, tashmë e ka kthyer Shqipërinë në bazë operacionale;

– Do të dobësohej angazhimi dhe efikasiteti i të gjitha strukturave dhe mekanizmave shtetërorë që luftojnë pastrimin e parave dhe produkteve të veprave penale;

– Do të dëmtohej bashkëpunimi me vendet partnere, dhe procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian;

– Do të kompromentohej rëndë imazhi i Shqipërisë si anëtare e NATO, dhe do të cënohej imazhi i panjollë i të gjithë shqiptarëve të ndershëm;

I mbështes plotësisht të gjitha këto shqetësime të argumentuara që ngrenë alarmin mbi nismën e fundit të Qeverisë, dhe që janë shprehur edhe më herët përmes Rezolutës së Parlamentit Europian së datës 19 maj 2022.

Shpërfillja e papërgjegjshme e Qeverisë ndaj tyre është e papranueshme dhe e patolerueshme.

Kushdo që mendon se do të kompromentojë shqiptarët e ndershëm si bashkautorë në krim e ka gabim.

Bëj thirrje të hiqet urgjentisht dorë nga kjo përpjekje e pashpresë, dhe të zbatohen pa vonesë rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bashkimit Europian, duke u kërkuar ndjesë të gjithë shqiptarëve të ndershëm për këtë provokim të pamerituar.

Qeveria shqiptare ka për detyrë të krijojë kushtet dhe të stimulojë zhvillimin e vendit përmes punës së ndershme, konkurrencës së lirë dhe mundësive të barabarta, dhe jo ta shpallë krimin si modelin e suksesit në jetë.