Vendosni fjalën kyçe....

“Sky Sports Albania” dhe Artion Vreto shpëtojnë çiftin me fëmijën që rrezikonin mbytjen në det


Stafi i “Sky Sports Albania” dhe Artion Vreto kanë shpëtuar ditën e sotme një çift së bashku me fëmijën e tyre, të cilët kishin hyrë me kanoe në det por për shkak të erës së fortë dhe dallgëve ajo është larguar shumë nga bregu.

Është dashur ndërhyrja e profesionistëve të “Sky Sports Albania”, të cilët janë njerëz që ushtrojnë aktivitetin e zhytjes në det dhe fluturimeve, të cilët me një gomone kanë shpëtuar çiftin e të rinjve së bashku me fëmijën e vogël në Palasë.

Kërkimet për gjetjen e çiftit çek dhe fëmijës së tyre, të cilët ishin larguar 4 milje larg bregut, kanë zgjatur rreth 3 orë.

CNA.al raporton se më pas ka ardhur edhe Policia e Shtetit, e cila ka bërë edhe dokumentimin e ngjarjes. Fatmirësisht nuk ka pasur asnjë problem. Ndërhyrja ka qenë disi e vështirë, por profesionistët si Artion Vreto dhe “Sky Sports Albania” në të tilla raste tregojnë aftësitë e tyre, duke mundur të shpëtojnë një tragjedi të mundshme të çiftit dhe fëmijës së tyre.