Vendosni fjalën kyçe....

Ushtria kanadeze do të lejojë fundet dhe lyerjen e flokëve për ushtarët


Kanadaja ka prezantuar ndryshime në kodin e veshjes ushtarake të vendit, duke i lejuar pjesëtarët e shërbimit të kenë thonj të gjatë, tatuazhe në fytyrë dhe të lyejnë flokët e tyre. Rregullat e reja madje i lejojnë burrat të veshin dhe funde.

Sipas një njoftimi të bërë të martën nga ushtria kanadeze, rishikimi i kodit të veshjes ishte shumë i vonuar, por ndryshimet nuk u bënë lehtë.

“Shfaqja e Forcave të Armatosura Kanadeze (CAF) nuk ka mbajtur ritmin me shoqërinë kanadeze të cilës i shërben.”- thuhet në dokument.

CAF thotë se qëllimi i reformës, e cila do të hyjë në fuqi në shtator 2022, është t’i bëjë rregullat më gjithëpërfshirëse dhe neutrale ndaj gjinisë.

Një nga ndryshimet kryesore është se uniformat nuk do të ndahen më në kategoritë ‘meshkuj’ dhe ‘femra’. Kjo do të thotë se pjesëtarët e shërbimit që identifikohen si burra do të mund të veshin funde, duke pasur parasysh se të gjitha referencat për gjininë janë hequr në lidhje me sende të tilla si: fundet, getat dhe çantat.

“Të dy katalogët janë të hapur për të gjithë anëtarët dhe mund të jenë të përziera. Anëtarët e CAF mund të zgjedhin cilindo dizajn që i përshtatet më mirë, për sa kohë që është i veshur sipas udhëzimeve të veshjes.“- tha ushtria, duke shtuar se do të ketë përjashtime për raste speciale si parada.

Përveç kësaj, rekrutët nuk do të duhet të rruajnë më kokën në trajnimin bazë dhe nuk do të ketë kufizime në gjatësinë e flokëve nëse nuk pengon performancën. Pjesëtarët e shërbimit do të lejohen gjithashtu të lyejnë flokët e tyre dhe të kenë thonj të gjatë dhe veshë të shpuar, nëse kjo nuk ndërhyn në detyrat e tyre.

Tatuazhet e fytyrës janë gjithashtu të pranueshme, përveçse nëse lidhen me bandat kriminale ose tregojnë diskriminim ndaj të tjerëve.