Vendosni fjalën kyçe....

Ina Zhupa: PD në krah të gazetarëve, Edi Rama po cënon fjalën e lirë


Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa ka reaguar lidhur me qëndrimin e mbajtur nga OSBE lidhur me lirinë e medies në vend dhe sjelljen e kryeministrit Edi Rama me gazetarin Klevin Muka, të cilin e ka ndaluar të marrë pjesë për 3 muaj në Konferencat e tij për mediat.

Sipas Zhupës, qëndrimi i OSBE-së është një mesazh i hapur alarmi pas shkeljeve të lirisë së gazetarëve nga kryeministri Rama.

 Deputetja demokrate shton që Partia Demokratike ka denoncuar pa ndërprerje, dhe do ta vazhdojë të denoncojë shkeljet e lirisë së shtypit.

“Partia Demokratike përshëndet reagimin e OSBE për Lirinë e Medias, të publikuar dje pak para protestës së 7 korrikut.

Theksi që OSBE vendos mbi të drejtën e gazetarëve ‘për të kërkuar, marrë dhe ndarë informacionin që kanë zyrtarët publikë’, është mesazh i hapur alarmi pas shkeljeve të fundit brutale të lirisë së gazetarëve nga kryeministri Rama.

Partia Demokratike ka denoncuar pa ndërprerje, dhe do ta vazhdojë te denoncojë kundërvajtjet seriale të këtij armiku të lirisë së shtypit dhe gazetarëve të pavarur në Shqipëri.

Ne vëmë theksin te rëndësia e reagimeve të tilla dhe u bëjmë thirrje të bëjnë të njëjtën gjë dhe organizatat e tjera ndërkombëtare.

Edi Rama luan në Shqipëri mikun e ndërkombëtarëve, por miqtë e vendit tonë nuk duhet të lejojnë që, në emrin e tyre të flasë dikush që ia nxin faqen si atyre, ashtu edhe Shqipërisë.

Pika e fundit e deklaratës së OSBE, është gjithashtu e rëndësishme: Nuk ka siguri pa liri të medias.

Ne theksojmë se pa liri të medias nuk ka siguri, transparencë dhe as votë të lirë.

Edi Rama i ka cënuar të gjithë këta përbërës të demokracisë dhe për këtë nuk duhet heshtur.

Partia Demokratike përshëndet edhe njëherë qëndrimin e OSBE, dhe u bën me dije gazetarëve se do të jetë në krah të tyre, dhe kundër të gjithë kërcënuesve të lirisë së medias.”– deklaroi Zhupa.

Misioni i OSBE-së në Shqipëri publikoi më herët një mesazh në “Twitter” për lirinë e shtypit.

Në llogarinë zyrtare thuhej se liria e medias është një ndër treguesit thelbësore të demokracisë.

“E drejta e gazetarëve për të kërkuar, marrë dhe dhënë lirisht informacionin e mbajtur nga organet publike është një pjesë integrale e punës së tyre dhe një shtyllë themelore e çdo shoqërie demokratike. Nuk ka siguri pa lirinë e medias.

Liria e medias dhe aftësia e gazetarëve për të raportuar lirshëm për çështje me interes publik është një nga treguesit thelbësorë të demokracisë.

OSBE është fuqimisht e përkushtuar ndaj rolit që luajnë gazetarët në aspektin jetik të proceseve vendimmarrëse të mirinformuara publike, transparente, të përgjegjshme dhe demokratike në Shqipëri.”– thuhej në njoftim.