Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka dalë sot në një konferencë për mediat për të folur sërish për aferën e inceneratorëve dhe evazionin fiskal.
Gjatë fjalës së saj, Kryemadhi pyet ministren e Financave Delina Ibrahimaj nëse kanë kryer ndonjë herë auditim në Inceneratorin e Fierit, Elbasanit apo të Tiranës.
Ajo ngriti gjithashtu pyetjen për kryeministrin Edi Rama se pse kanë frikë të bëjnë transparencë lidhur me këtë çështje.
“Dje dëgjuam në Parlament ministren e Financave e cila pranoi se qenkan 500 kompani të tilla, me disa që janë dënuar dhe disa jo.
Por unë kam një pyetje. A ka audituar ndonjëherë Ministria e Financave inceneratorët e Fierit, Elbasanit, apo Tiranës?
Nëse që prej 2018 këto kompani janë konstatuar për shkelje në deklarimin e të ardhurave, a ka shkuar deri në fund hetimi tatimor.
Meqenëse inceneratori i Tiranës na doli menjëherë e foli së bashku me avokatin e inceneratorit, Erion Veliaj. Unë përsëri kam një pyetje për ta edhe Edi Ramën që është pronari i vërtetë i inceneratorit të Tiranës, pse keni frikë nga transparenca, pse nuk flisni për inceneratorin dhe investimet që keni bërë. Ajo çfarë shikojmë ne ka vetëm mbjellje për jonxhë. Pse keni frikë të tregoni transparencë? Sot qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë paguajnë për investimin 128 milionë euro, me të vetmin kusht që është 29 euro për ton.
Nëse ky koncension do të ishte i ndershëm Edi Rama dhe avokati i inceneratorit të Tiranës nuk do të kishin frikë të bënin transparencë. Transparencë po kërkojmë. Ajo që dua të kujtoj është se në çështjen e tmerrshme te evazionit fiskal, janë 4 pika të kodit penal që janë shkelur, ku përfshihet Klodian Zoto dhe gjithë skema mashtruese për të grabitur buxhetin e shtetit. Ulin pensionet, shërbimet në arsim, pagat e administratës publike për të financuar inceneratorët. Janë katër pika të kodit penal për këtë çështje: Neni 180 i kodit penal, fshehje e të ardhurave; neni 181 për mosdeklarim të të ardhurave; neni 181 (pika a) Këto pika nxjerrin evazioni fiskal që është kryer me inceneratorët.”– deklaroi Kryemadhi.