Treguesit e barazisë gjinore u përkeqësua më tej gjatë vitit 2021 si rrjedhojë e rritjes së normës së abortit dhe vdekshmërisë amtare raportoi INSTAT.
Në vitin 2021 kishte 164 aborte për 1000 lindje të gjalla, ndërkohë që në vitin 2020 kishte 162 aborte për 1000 lindje të gjalla.
INSTAT raportoi se, indeksi i pabarazisë gjinore (IPGJ), në vitin 2021 rezulton 0,09 nga 0,06 që ishte në vitin 2020.
Sipas INSTAT, ndër vite, të gjithë treguesit e përdorur në llogaritjen e IPGJ, kanë pasur përmirësime të lehta, përveç vdekshmërisë amtare, e cila me luhatjet e saj gjatë viteve, ka luajtur edhe rolin kryesor në luhatjen e këtij treguesi.
Lindshmëria në adoleshencë është zvogëluar në krahasim me një vit më parë. Në vitin 2021, janë regjistruar 12,1 lindje për çdo 1.000 vajza të grup moshës 15-19 vjeç nga 13,3 lindje që ishin në 2020.
Norma e martesave të grave ndër vite tregon një rënie të martesave deri në moshën 24 vjeç dhe rritje të moshës mesatare në martesë të vajzave.
Krahasuar me 5 vite më parë, gratë martohen relativisht rreth 0,7 vite më të mëdha.
Për moshat teke 15 deri në 19 vjeç, për çdo 1.000 lindje raporti i abortit rezulton më i lartë në moshën 18 vjeçare, 140 aborte për 1.000 lindje të gjalla.
Nga 61 vrasje të regjistruara në vitin 2021, 26,2% e tyre kanë ardhur si rezultat i vrasjeve për shkak të marrëdhënieve familjare.
62,5% e viktimave nga vrasjet për shkak të marrëdhënieve familjare janë gra. Gratë e burgosura për vrasje dhe mashtrim zënë përqindjen më të lartë të grave të burgosura, përkatësisht 22,2% dhe 20,6%.
Gratë e burgosura përbëjnë 1,3% të të burgosurve gjithsej në vitin 2021, shumica e tyre janë me arsim 9 vjeçar dhe i përkasin grup-moshës 30-39 vjeç.
Përfitues të moshuar në qendrat sociale për vitin 2021 janë 55,4% burra dhe 44,6% gra.
Gratë, gjatë vitit 2021 kanë kryer më shumë blerje online për veshje/pajisje sportive në krahasim me burrat (59,1% për gratë dhe 40,9% për burrat).
Në strukturën e policisë, numri i punonjëseve gra rritet me uljen e nivelit të gradave. Për gradën inspektor përqindja e grave është më e lartë (43,5%).
Në vitin 2021, shkalla e pjesëmarrjes së grave në parlament është 35,7%. Përmirësimi i ndjeshëm i pjesëmarrjes së grave anëtare në Parlamentin e Shqipërisë u bë i mundur pas përfshirjes së kuotës 30% në ndryshimet e kodit elektoral, në vitin 2008. Tendenca në rritje vihet re edhe në zgjedhjet parlamentare 2013, ku arriti në 18,0%.
Numri i bizneseve me pronare ose administratore gra është më i madh në Tregti me 34,3% dhe Shërbime të tjera me 40,1%, për vitin 2021.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al