Vendosni fjalën kyçe....

Rritet besimi i bizneseve në qershor, ndërtimi arrin maksimumin historik; Konsumatorët janë pesimistë


Besimi i bizneseve të sektorit të industrisë, ndërtimit dhe shërbimeve u përmirësua në muajin qershor, por konsumatorët janë pesimistë, po ashtu dhe sektori i shërbimeve.

Sipas Bankës së Shqipërisë, Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) regjistroi rritje me 2.0 pikë (në nivelin 109.8) në muajin qershor të vitit 2022. Rritja u përcaktua nga përmirësimi i besimit të bizneseve në sektorët e industrisë, ndërtimit dhe shërbimeve. Nga ana tjetër, rënia e besimit të konsumatorëve dhe bizneseve në sektorin e tregtisë, e ka bërë më të përmbajtur rritjen e TNE-së.

Porositë dhe eksportet bëjnë optimistë sektorin e industrisë

Treguesi i besimit të industrisë (TBI) shënoi rritje prej 8.1 pikë përqindjeje krahasuar me muajin e kaluar. Kjo rritje ka konfirmuar momentin pozitiv që ky tregues ka shfaqur gjatë muajve të fundit. Ajo i atribuohet kryesisht ecurisë pozitive të kontratave porositëse në total dhe atyre nga eksportet. Në të njëjtën kohë, balanca për prodhimin është rritur në masë më të vogël. Pritjet e bizneseve të industrisë për çmimet e produkteve që do të prodhojnë kanë shënuar një rritje të lehtë krahasuar me muajin e kaluar, duke vijuar të mbeten ndjeshëm mbi mesataren e vet historike.

Ndërtimi në maksimumin historik

Treguesi i besimit në ndërtim (TBN) pësoi një rritje prej 7.3 pikë përqindjeje në muajin qershor, duke arritur maksimumin e vet historik (Grafik 2). Të dy komponentët e këtij treguesi pësuan rritje, por rritja e balancës së aktivitetit ndërtues ishte më e ndjeshme sesa ajo e porosive aktuale. Pritjet për çmimet që bizneset e ndërtimit do të vendosin në të ardhmen pësuan gjithashtu rritje të ndjeshme në muajin qershor.

Edhe shërbimet me rritje

Treguesi i besimit në shërbime (TBSH) u rrit me 1.2 pikë përqindje krahasuar me muajin e kaluar. Rritja u ndikua si nga komponenti i ecurisë aktuale të biznesit ashtu edhe nga ai i kërkesës. Pritjet e bizneseve të shërbimeve për nivelin e çmimeve që do të vendosin në të ardhmen kanë pësuar rënie krahasuar me muajin e kaluar, por ato vijojnë të mbeten mbi mesataren e vet historike.

Tregtia me rënie

Treguesi i besimit në tregti (TBT) ra me 0.8 pikë përqindje në muajin qershor, pas përmirësimit që ky tregues pati në muajin maj. Në terma të komponentëve të TBT-së, rënia është përcaktuar si nga komponenti i ecurisë aktuale të biznesit, ashtu edhe ai i pritjeve për nivelin e punësimit. Pritjet për çmimet që do të vendosin në të ardhmen janë vlerësuar me rënie nga bizneset e tregtisë krahasuar me një muaj më parë, por ato vijojnë të jenë mbi mesataren e vet afatgjatë.

Konsumatorët më pesimistët

Treguesi i besimit konsumator (TBK) shënoi një rënie me 0.7 pikë përqindjeje në muajin qershor. Kjo rënie ka bërë që TBK-ja ta frenojë prirjen përmirësuese të nisur në dy muajt e kaluar, duke mbetur ndjeshëm nën mesataren e vet historike. Rënia u ndikua nga pritjet më pesimiste për situatën ekonomike në vend, si dhe vlerësimet më pesimiste për blerjet në shuma të mëdha, aktuale dhe të pritura. Ndërkohë, pritjet për situatën financiare në të ardhmen u përmirësuan disi krahasuar me një muaj më parë. Pritjet për çmimet e konsumit në të ardhmen kanë shënuar rritje edhe në këtë muaj.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor