Vendosni fjalën kyçe....

U qëllua ndërsa mbante një fjalim, si është gjendja e ish-kryeministrit të Japonisë


Ish-kryeministri i Japonisë Shinzo Abe thuhet se është në gjendje të rëndë pasi u qëllua me armë gjatë një tubimi.

Abe u qëllua dy herë teksa po mbante një fjalim në qytetin jugor të Nara të premten në mëngjes.

Ai u rrëzua dhe u dërgua me urgjencë në spitalin më të afërt. Pamjet nga vendngjarja treguan se ai kishte gjakderdhje.

Punonjësit e policisë në vendngjarje e ndalën autorin e armatosur dhe i dyshuari 41-vjeçar tani ndodhet në paraburgim.

Në një konferencë emocionale për shtyp disa orë më vonë, kryeministri Fumio Kishida u tha gazetarëve se zoti Abe ishte në një “gjendje shumë të rëndë”.

“Aktualisht mjekët po bëjnë gjithçka që munden.”- tha zoti Kishida i cili dukej se mezi po mbante lotët, duke shtuar se ai “po lutej nga zemra” që zoti Abe të mbijetonte.

Siç shkruan BBC, Agjencia e Menaxhimit të Zjarrit dhe Fatkeqësive konfirmoi se Abe kishte marrë një plumbi në qafë nga ana e djathtë dhe një plagë në pjesën e majtë të gjoksit.

Ish-guvernatori i Tokios Yoichi Masuzoe kishte thënë më herët në një postim në “Twitter” se zoti Abe ishte në një gjendje arresti kardiopulmonar. Termi përdoret shpesh përpara se një vdekje të konfirmohet zyrtarisht në Japoni.

Në momentin e ngjarjes, Abe po mbante një fjalim si pjesë e një fushate për partinë e tij, Partinë Liberal Demokratike, pasi zgjedhjet e dhomës së lartë në Japoni do të mbahen më vonë këtë javë.