Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e ish-kryeministrit të Japonisë/ Meta: Dënoj aktin kriminal, ishte mik i çmuar i popullit shqiptar


Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas lajmeve për vrasjen e ish-kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe.

Në një postim në rrjetet sociale, Meta shprehet se është tronditur nga ky lajm dhe thekson se e dënon me forcë aktin e rëndë kriminal. Ai thotë se Abe do të mbahet mend si një mik i çmuar i Shqipërisë dhe popullit shqiptar.

“Thellësisht i tronditur nga lajmi për ndarjen nga jeta në mënyrë tragjike të ish-Kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe.

Dënoj me forcë aktin e rëndë kriminal dhe jam i bindur se autori do të marrë dënimin e merituar!

Duke ruajtur kujtimet e një takimi mbresëlënës gjatë vizitës në Japoni dhe vlerësuar përkushtimin e pandërprerë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, ish-Kryeministri Abe do të mbahet mend si një mik i çmuar i Shqipërisë dhe popullit shqiptar.

Ngushëllimet më të ndjera për familjen dhe popullin mik japonez, të cilëve u gjendemi pranë në këto momente të vështira!”– shkruan presidenti Meta.

Ish-kryeministri japonez Shinzo Abe ka ndërruar jetë sot në spitalin ku po merrte trajtim mjekësor, pas sulmit me armë ndaj tij gjatë një mitingu.

67 vjeçari, i cili mbetet kryeministri më jetëgjatë i Japonisë, u qëllua duke mbajtur një fjalim në fushatë. Departamenti i Zjarrfikësve të qytetit Nara ku ndodhi ngjarja, konfirmoi se ish-kryeministri kishte marrë një plagë në anën e djathtë të qafës si dhe në klavikulën e majtë.