Vendosni fjalën kyçe....

Zjarr në banesën në Tiranë, foshnja 6 muajshe humbi jetën, plagoset gjyshja (Si ndodhi ngjarja)


Një banesë është përfshirë nga flakët në rrugën “Gani Domi” në Tiranë, ku si pasojë ka humbur jetën një foshnjë 6 muajshe.

Po ashtu ka mbetur e plagosur gjyshja e cila është jashtë rrezikut për jetën dhe po merr trajtim mjekësor në spital.

“Sot, në orët e para të mëngjesit, në rrugën “Gani Domi”, ka rënë zjarr dhe është djegur plotësisht banesa e shtetases J. L.

Si pasojë ka ndërruar jetë një foshnje 6 muajshe, ndërsa shtetasja J. L., ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor po punon për të përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.”- ka bërë me dije Policia.

Sipas televizionit “News 24”, dritaret e banesës kanë qenë me kangjella dhe kjo e ka bërë të vështirë ndërhyrjen e zjarrfikësve.

Në momentin që ka ndodhur ngjarja, gjyshja dhe nipi kanë qenë në bodrum dhe ajo ka qenë duke gatuar. Kur ka nisur zjarri, gjyshja ka dalë dhe ka kërkuar ndihmë tek banorët, por ndërkohë e gjitha banesa është përfshirë nga flakët.

Prindërit e foshnjës nuk ndodheshin në shtëpi dhe janë lajmëruar nga banorët. Ata kanë mbërritur në të njëjtën kohë kur foshnja është nxjerrë nga zjarrfikësit dhe janë nisur me të drejt spitalit, por fatkeqësisht i biri i tyre nuk ka mundur të mbijetojë.