Një ligj i ri në shtetin amerikan të Arizonës do t’i ndalojë njerëzit që të filmojnë oficerët e policisë në distanca të shkurtra, duke i ndëshkuar me gjoba ose burg ata që nuk respektojnë këtë.
Kritikët e quajnë ligjin një kërcënim për fjalën e lirë dhe të drejtën për një shtyp të lirë.
Policia shpesh filmohet nga kalimtarët dhe pamjet herë pas here kanë rezultuar në ekspozimin e sjelljes së pahijshme të oficerëve.
Ligji i ri hyn në fuqi më 24 shtator dhe do ta bëjë të paligjshëm filmimin e oficerëve të policisë në shtetin amerikan brenda një distancë prej 2.4 metrash.
Njerëzit që shpërfillin një paralajmërim verbal dhe vazhdojnë filmimin rrezikojnë deri në 30 ditë burg.
Ligji, megjithatë, bën përjashtime për njerëzit që ndërveprojnë me policinë ose në zona të mbyllura në pronë private.
Përfaqësuesi i shtetit John Kavanagh – i cili sponsorizoi projektligjin – ka argumentuar se kjo është e nevojshme sepse “grupet armiqësore ndaj policisë” ndonjëherë “u afrohen rrezikshëm takimeve potencialisht të dhunshme”.
“Të afrohesh shumë me oficerët e policisë në situata të tensionuara është një praktikë e rrezikshme që mund të përfundojë në tragjedi.”- shkroi ai në USA Today në muajin mars. Oficerët e policisë nuk kanë asnjë mënyrë për të ditur nëse personi që po afrohet është një kalimtar i pafajshëm apo bashkëpunëtor i personit që po arrestojnë, i cili mund t’i sulmojë ata.
Por kritikët e këtij ligji, thonë se ai përpiqet të dekurajojë njerëzit që të ushtrojnë të drejtat e tyre për të filmuar në pronë publike, duke shkelur të drejtat e tyre të mbrojtura me kushtetutë.
Për më tepër, Shoqata Kombëtare e Fotografëve të Shtypit paraqiti një kundërshtim ndaj ligjit në shkurt, duke argumentuar se ai “bie ndesh me të drejtën e përcaktuar qartë për të fotografuar dhe regjistruar oficerët e policisë që kryejnë detyrat e tyre zyrtare në një vend publik”.
Filmimet kanë luajtur një rol të rëndësishëm në debatin mbi sjelljen e keqe dhe brutalitetin e policisë, veçanërisht kundër afrikano-amerikanëve.
Videoja e vdekjes së George Floyd në duart e oficerit të policisë Derek Chauvin e cila u filmua nga një kalimtar i rastit 17-vjeçar, u bë pjesë kyçe në çështjen kundër oficerit.