Vendosni fjalën kyçe....

Elon Musk anulon marrëveshjen me “Twitter”-in


Themeluesi i Tesla dhe SpaceX, Elon Musk, ka anuluar marrëveshjen e tij të rënë dakord më parë prej 44 miliardë dollarësh për të blerë Twitter-in.

Ai e akuzon kompaninë e mediave sociale për “shkelje të dispozitave të shumta” të marrëveshjes së bashkimit në një letër të publikuar premten në mbrëmje.

Sipas marrëveshjes së 25 prillit, Twitter ishte i detyruar t’i siguronte Musk të dhënat që ai kërkoi, në mënyrë që “të bënte një vlerësim të pavarur të përhapjes së llogarive false ose spam në platformën e Twitter”. Kështu thuhej në letrën, dërguar nga avokatët e tij tek kompania.

Musk tha se informacioni ishte i nevojshëm për të financuar dhe planifikuar blerjen dhe “planifikimin e tranzicionit” për firmën, por Twitter “dështoi ose refuzoi” ta jepte atë.

Sipas letrës, kompania ose i injoroi kërkesat e Musk, ose “i refuzoi ato për arsye që duken të pajustifikuara”, ose pretendoi të binte dakord duke i dhënë “informacion jo të plotë ose të papërdorshëm”.

Prodhuesi miliarder i anijeve kozmike dhe makinave elektrike zbuloi fillimisht se kishte blerë aksione të Twitter-it në fillim të prillit, më pas propozoi blerjen e plotë të platformës. Por Bordi i kompanisë fillimisht u përpoq ta luftonte, e më pas e pranoi ofertën e tij më 25 prill.

Megjithatë nga mesi i majit, marrëveshja ishte në pritje pasi Musk kishte dyshime për vlerësimin zyrtar që Twitter kishte bërë lidhur me llogaritë false ose të padëshiruara.

Në letrën e avokatëve të tij pretendohet se numri aktual është “thelbësisht më i lartë” dhe se kjo ka një ndikim në fund, pasi afërsisht 90% e të ardhurave të Twitter-it vijnë nga reklamat.

Tanimë fati i Twitter-it mund të përfundojë duke u zgjidhur vetëm në gjykatë, pasi kompania mund të padisë Elon Musk për prishjen e marrëveshjes.