Vendosni fjalën kyçe....

Protestuesit në Sri Lanka sulmojnë rezidencën e Presidentit


Mijëra protestues kanë sulmuar rezidencën e presidentit të tyre Gotabaya Rajapaksa në kryeqytetin e Sri Lankës.

Siç shkruan BBC, demonstruesit nga i gjithë vendi marshuan në Colombo duke kërkuar dorëheqjen e tij pas muajsh protestash për keqmenaxhimin e krizës ekonomike të vendit.

Raportet në media thonë se presidenti Rajapaksa tashmë është zhvendosur në një vend më të sigurt.

Vendi po vuan nga një inflacion i shfrenuar dhe po lufton për të importuar ushqime, karburant dhe ilaçe.

Mijëra protestues antiqeveritarë udhëtuan me makina, furgonë dhe autobusë për në kryeqytet. Disa madje edhe me tren. Ata u vërshuan në Colombo, duke bërtitur parulla kundër presidentit dhe duke thyer disa barrikada policie për të arritur në shtëpinë e Presidentit Rajapaska.

Policia qëlloi në ajër për të parandaluar turmat e zemëruara të pushtonin ndërtesën, por nuk ishte në gjendje të ndalonte një pjesë të turmës që të hynte.

Autoritetet ishin përpjekur të ndalonin shfaqjen e demonstratave duke vendosur një shtetrrethim të premten mbrëma. Por protestuesit nuk u penguan dhe shtetrrethimi u hoq pasi grupet e shoqërisë civile dhe partitë opozitare e thyen atë.

Sri Lanka ka mbetur pa rezerva valutore dhe po lufton për të importuar mallra thelbësore. Shumë fajësojnë Presidentin Rajapaksa për situatën e rëndë ekonomike të vendit dhe kërkojnë dorëheqjen e tij.