Një autokolonë që mban trupin e ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe ka mbërritur në shtëpinë e tij në Tokio.
Ndërkohë që makina me trupin e Abe-s mbërriti, anëtarët e Partisë së tij Liberale Demokratike (LDP), të veshur me të zeza, u rreshtuan për të bërë nderimet e tyre për ish-kryeministrin.
Kryeministri aktual Fumio Kishida pritet ta vizitojë këtë pasdite.
Sipas raporteve të mediave lokale, homazhet për Abe-n do mbahen të hënën dhe varrimi do të bëhet të martën.
Kujtojmë se Abe u qëllua për vdekje teksa fliste në një aktivitet të fushatës politike të premten në mëngjes në qytetin jugor të Nara.
Policia që po heton atentatin ka thënë se i dyshuari kishte inat kundër një “organizate specifike“.
Siç shkruan BBC, sulmuesi i dyshuar i quajtur Tetsuya Yamagami (41 vjeç) besonte se Abe ishte pjesë e kësaj organizate.
Yamagami ka pranuar se e ka qëlluar ish-kryeministrin me një armë që e ka bërë vetë.
Abe ishte kryeministri më jetëgjatë i Japonisë dhe vdekja e tij në moshën 67-vjeçare ka tronditur thellësisht një vend ku krimi me armë është shumë i rrallë.
Kryeministri Kishida, i cili është gjithashtu një anëtar i LDP-së, tha se ai ishte “thjesht pa fjalë”, dhe u zotuar se demokracia e Japonisë “nuk do t’i dorëzohej kurrë dhunës“. Ai tha se fushata zgjedhore do të vazhdojë të shtunën me masa të forta sigurie, dhe votimi i së dielës do të mbahet.