Pasi u detyrua të largohet nga detyra mes një revolte partiake, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson mund të largohet krejtësisht nga skena politike, raportoi të shtunën Daily Telegraph, duke cituar burime.
Sipas gazetës, Johnson tani po mendon nëse do të qëndrojë në Dhomën e Komunëve, siç bëri paraardhësja e tij Theresa May, apo do heqë dorë nga kandidimi i tij i mundshëm në zgjedhjet e ardhshme.
Pas dorëheqjes, kryeministri mund të vendosë t’i rikthehet shkrimit dhe fjalimeve në ngjarje të ndryshme, një veprimtari që kishte rezultuar fitimprurës për të.
“Ai po e shqyrton këtë gjë gjatë fundjavës. Nuk mendoj se ka vendosur ende.” – i ka thënë një nga burimet media britanike.
Johnson, një autor i disa librave, duke përfshirë një studim historik mbi Perandorinë Romake, thuhet se ende nuk ka dorëzuar një dorëshkrim mbi jetën e Ëilliam Shakespeare në një shtëpi botuese në Mbretërinë e Bashkuar.
Libri me sa duket duhej të botohej që në vitin 2016 për të përkuar me 400-vjetorin e vdekjes së poetit, por botuesi pranoi të shtynte datën e publikimit që kur Boris Johnson u emërua Sekretar i Jashtëm në atë kohë.
Boris Johnson njoftoi se do të tërhiqej si kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar të enjten pas disa skandaleve të profilit të lartë dhe një valë dorëheqjesh të anëtarëve të kabinetit të tij. Në të njëjtën kohë, Johnson synon të qëndrojë si kreu i qeverisë derisa të zgjidhet një lider i ri partie për këtë detyrë.